Përpjekja e ish-liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe e deputetëve të Vetëvendosjes, e shpalosur publikisht si thirrje për një “Republikë të tretë” dhe e materializuar përmes organizimit të manifestimeve të dhunës në Kuvendin e Kosovës dhe në publik, mund të cilësohet si vepër penale “Sulmi kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, sipas nenit 121 të Kodit Penal. Në këtë përpjekje apo thirrje publike nuk bëjnë pjesë edhe subjektet e tjera politike opozitare, prandaj edhe deputetet e tyre nuk pritet të ballafaqohen me këtë vepër penale.
Sipas këtij neni, i cili përfshin sulmet kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, në pikën 1, thuhet: “Kushdo që me përdorim të dhunës apo me kanosje të dhunës tenton që ta ndryshojë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës apo të përmbysë institucionet më të larta të Republikës së Kosovës, dënohet me jo më pak se pesë (5) vjet burgim”. Ndërsa, në pikën 2, thuhet: “Kushdo që me përdorim të dhunës apo me kanosje të dhunës tenton që të pengojë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës apo me përdorim të dhunës ose kanosjes së dhunës implementon rendin e huaj juridik në ndonjë pjesë të Republikës së Kosovës, dënohet me jo më pak se pesë (5) vjet burgim”.
Të dyja këto përpjekje janë shprehur disa herë publikisht prej Kurtit dhe zyrtarëve të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Megjithatë, e lehtë gjithsesi që nuk është as pika 3 e nenit 121 të Kodit Penal, e cila thotë: “Kushdo që me përdorim të dhunës ose me kanosje të dhunës tenton të rrezikojë pavarësinë e Kosovës, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, tërësinë territoriale dhe karakterin demokratik të shtetit, dënohet jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim”.
Vetëm me sulmin kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje mund të dënohet deri në 10 vjet burgim, pa përfshirë edhe veprat e tjera penale që mund t’i kenë bërë.
Gjithashtu, veprimtaria e Vetëvendosjes për një “Republikë të tretë” mund të cilësohet edhe si “Bashkim për veprimtari kundër kushtetuese” sipas nenit 134 të Kodit Penal.
Bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese, sipas nenit 134, parasheh:
1. Kushdo që formon një grup apo ndonjë bashkim tjetër të personave për kryerjen e veprave penale nga nenet 121-134 të këtij Kodi, dënohet me dënimin e paraparë për atë vepër penale.
2. Kushdo që merr pjesë apo bëhet anëtar i grupit apo bashkimit nga paragrafi 1. i këtij neni, dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet.
3. Anëtari i grupit apo bashkimit, që e lajmëron grupin para kryerjes së veprës penale nga paragrafi 1. i këtij neni, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet ose mund të lirohet nga dënimi.