Alfred Shkurti, i njohur ndryshe si Aldo Bare, i dënuar me burgim të përjetshëm, ka kërkuar ulje të dënimit ‘për sjellje të mirë’. Kështu u shpreh në një deklaratë për media avokati i tij, Oligert Kume.
“Kjo është një ndër seancat gjyqësore lidhur me kërkesën ligjore të Aldo Bares për ulje dënimi. I mbrojturi ka parashkruar një sërë kërkesash për ulje dënimi. Konstatojmë dhe vërejmë se nga Administrata e Burgjeve nuk i vihen në dispozicion aktet apo vlerësimi i sjelljeve. Sot, është shtyrë për shkak se paraqitja e provave ju vu vetëm Gjykatës dhe normalisht duhet koha e duhur. Ne i kemi adresuar prej kohësh administratës së burgjeve, për mosvënien në dispozicion të këtyre pamjeve me argumente paradoksale. Bare ka paraqitur edhe kërkesa juridike sa i takon edhe vendimit të Gjykatës së Lartë të cilët nuk na lejuan të ishim në seancë. Pasi vendimi i Kushtetueses është përdhosur me një vendim absurd dhe do thosha që kemi të bëjmë me një puç.”- tha avokati.