Këshilli i sigurimit do të shqyrtojë një projekt-rezolutë e cila duhet të votohet edhe nga Rusia pas negociatash të gjata për të arritur një kompromis.

Mbi 3 000 njerëz kanë mundur të lënë sot, e hënë 19 dhjetor, sektorin rebel të rrethuar të Alepit përpara votimit të rezolutës së OKB-së që do të mundësonte mbikëqyrjen e evakuimeve, një dritë shprese për mijëra sirianë të kërcënuar nga uria dhe të ftohtit. Evakuimet nisën të enjten pas një marrëveshje mes isë dhe Turqisë, por u ndërprenë të nesërmen nga regjimi sirian. Rinisja e evakuimeve të hënën nuk është njoftuar zyrtarisht, por karvanë me autobusë po qarkullojnë në mënyrë të vazhdueshme.

Rreth 350 njerës janë evakuuar të dielën në mbrëmje drejt lokalitetit të Khan al-Assal.

Paralelisht me evakuimet e të hënës në mëngjes, 500 njerëz kanë mundur të largohen edhe nga dy lokalitete shiite pro-regjimit të rrethuara nga rebelët në province e Idleb, sipas Observatorit sirian të të drejtave të njeriut.

Mbeten edhe 40 000 civilë, dhe 1 500 luftëtarë e 5 000 pjesëtarë të familjeve të tyre, në gërmadhat e lagjeve rebele të Alepit, sipas OKB-së. Regjimi i Bachar el-Assad ia ka dalë të fusë në dorë thuajse tërësisht sektorin që rebelët e kontrollonin që nga viti 2012 në këtë qytet pas një offensive të dhunshme ajrore dhe tokësore një mujore, e shoqëruar me një rrethim hermetik  që nga muaji korrik. Me përfundimin e evakuimeve nga Alepi, regjimi sirian do të shpallë marrjen totale të qytetit, duke shënuar fitoren më të rëndësishme të tij në luftën e përgjakshme që e ka drobitur vendin që nga 2011 dhe ka shkaktuar mbi 310 000 të vdekur.

Në Nju Jork, Këshilli i sigurimit të OKB-së duhet të prononcohet për një project-rezolutë të re që synon të garantojë mbarëvajtjen e evakuimit të civilëve dhe rebelëve nga metropolis i veriut të Sirisë. Pas konsultimesh të gjata me dyer të mbyllura të dielën, 15 anëtarët e Këshillit të sigurisë kanë arritur në një kompromis për të amentuar një tekst të paraqitur nga Franca të cilin Rusia kërcënonte se do t’i kundërvihej me veto. Ambasadori rus Vitali Çurkin ka vlerësuar se bëhej fjalë “për një tekst të mirë”. Moska – aleat i madh i Damaskut – i është kundërvënë gjithmonë me veto rezolutave për Sirinë, por ambasadorja amerikane Samantha Power është shprehur se, kësaj here, presim një “votim unanim”.

Sipas AFP-së, teksti i projekt-rezolutës që po përpunohet i “kërkon OKB-së dhe institucioneve të tjera të afta të mbikëqyrin në mënyrë adekuate e neutrale dhe të vëzhgojnë drejtpërsëdrejti evakuimet nga lagjet e Alepit lindor”. Situata në Alep është ndërkaq në qendër të një mbledhjeje të ministrave të jashtëm të Legës arabe në Kajro, që po mbahet sot, e hënë, 19 dhjetor. Nesër, ministrant e jashtëm dhe ata të mbrojtjes së Rusisë dhe Iranit, aleatë të regjimit, dhe të Turqisë, e cila mbështet opozitën, do të takohen në Moskë për diskutime trepalëshe për Sirinë.

/Veritas.com.al/