Kryetari i Grupit Parlamentar, Enkelejd Alibeaj përmes një konference për shtyp ka prezantuar platformën “për bashkimin e demokratëve dhe nxjerrjen e partisë nga kriza”.

“Kam kërkuar bashkimin edhe pjesëmarrje të përjashtuarve dhe pezulluarve me 12 dhjetor. Është fakt. PD nuk ka të tepërt asnjë nga anëtarët e saj. Pas një jave diskutimesh, platforma është e propozuar nga shumica”.

“Grupi Parlamentar i PD apelon me forcë për shmangien e gjuhës së urrejtjes, shantazhit, përçarjes, fyerjes dhe arrogancës mes demokratëve dhe i bën thirrje secilit anëtar të Partisë të reflektojë dhe të heq dorë nga çdo pozicionim i deritanishëm përçarës mes demokratëve”.

Ai gjithashtu thekson se anëtarët e përjashtuar apo pezulluar nga grupi me vendim të Këshillit Kombëtar të datës 12 janar 2022, duhet të rikthehen në grup, si anëtarë me të drejta të plota.

“Anulohet çdo proces i njëanshëm riorganizimi apo ngritje të strukturave lokale të partisë, apo mbledhje të strukturave qendrore të partisë, duke e shtyrë në një kohë të përshtatshme që përcaktohet në përputhje me rregullat e caktuara në këtë dokument”.

Sipas Alibeajt, hapi i parë për bashkimin e demokratëve është certifikimi i anëtarësisë aktuale dhe paralelisht me këtë të realizohet hapja dhe pasurimi i anëtarësisë me përfaqësues nga çdo shtresë e shoqërisë që janë ideologjikisht afër vlerave të PD-së.

Ndërsa, hapi i dytë, sipas tij, është fillimi i procesit të zgjedhjeve në nivel seksioni, grupseksioni dhe dege.

“Grupi i punës të shërbejë si filtër i kandidaturave për secilin nivel”.

Dhe pika e tretë e kreut të Grupit Parlamentar është ngritja e grupeve të punës për nisjen e fushatës ndërgjegjësuese në bazë, me qëllim bashkimin mes demokratëve, si dhe përgatitjen e partisë për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Alibeaj tha se ka pasur propozime që ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-kryetari Lulzim Basha të mos kandidojnë më për pozicionin e kryetarit të Partisë.

“Për të qenë transparent, ka pasur edhe propozime shtesë të disa kolegëve, por procedura e ndjekur e konsultimit dhe hartimit të një qëndrimi që gëzonte mbështetjen më të gjerë, ishte që nëse një apo disa kolegë të tjerë nuk ishin dakord, atëherë propozimi shtesë mbi atë të mësipërmin, nuk mund të përfshihej”.