Është zbardhur dëshmia e xhaxhait të Ervis Martinajt, pranë komisariatit të Policisë Kurbin, për zhdukjen e të shumëkërkuarit të drejtësisë shqiptare, ku dyshime hidhen se atij mund t’i ketë ndodhur “diçka e keqe”.

Fillimisht, Faik Martinaj, xhaxhai i Ervisit, ka theksuar se është njoftuar nga një i afërm për humbjen e gjurmëve nga nipi i tij, pasi vetë ai, nuk ka pasur kontakt direkt me të, që prej kohësh kur është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme SPAK.

Për arsye sigurie, Faik Martinaj nuk e ka përmendur emrin e të afërmit, duke theksuar gjithashtu se ai ndodhet jashtë vendit.

Ky familjar, e ka njoftuar xhaxhain e Martinajt se kishte humbur kontaktet me Ervisin.

“Ne si familje kemi dyshime se Ervisit mund t’i ketë ndodhur diçka e keqe nga grupe kriminale që kërkojnë ta eliminojnë. Ne kemi pritur deri ditën e sotme që mos kemi ndonjë kontakt me nipin Ervisin, por nuk kemi arritur të kontaktojmë dhe nuk kemi asnjë lloj informacioni për vendndodhjen edhe gjendjen e tij”, ka shtuar më tej ai.

Forcat policore janë gjithashtu në dyshime tashmë se si duhet të veprojnë, pasi Ervis Martinaj është i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Familjarët kanë pasur gjithashtu dyshime se ai mund të ketë shkuar në Dubai për t’i shpëtuar forcave të rëndit.

Mirëpo, sipas Policisë shqiptare, ai nuk ka lëvizur nga Shqipëria dhe gjendet në zona ku ka mbrojtje dhe siguri.

Disa aksione janë ndërmarrë nga forcat speciale, përfshi ato RENEA, për kapjen e Martinajt, por asnjëherë nuk është arritur lokalizimi i tij dhe kapja e efektshme.

Këto detaje të fundit, vijnë pak kohë pas vrasjes së një familjari të Ervisit, Brilant Martinaj, i cili së bashku me dy persona të tjerë, u ekzekutuan në mbikalimin e Fushë-Krujës me breshëri plumbash, në një sulm të mirëorganizuar, autorët e të cilit ende nuk janë zbuluar nga Policia.