Kreu i ri i SPAK, Altin Dumani ka paralajmëruar luftë agresive ndaj korrupsionit për zyrtaët e çdo niveli dhe krimit të organizuar. Kjo do të jetë faza e dytë e Prokurorisë së Posaçme që nuk do të tolerojë asnjë shkelës ligji. Këtë e bëri me dije vetë Dumani gjatë prezantimit të tij para stafit si kreu i ri i SPAK. Ai nuk kurseu falenderimet për kolegët që garuan me të dhe Arben Krajën për vitet që kaloi në ndërtimin e themelit të Prokurorisë së Posaçme.
Po ashtu nxiti 70 prokurorët që të gjithë bashkë të demonstrojnë që janë të aftë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Dumani theksoi se zyra e tij është e hapur për të gjithë hetuesit ndërsa u shpreh se do jetë krah tyre për të gjithë sfidat që i presin përgjatë 3 viteve.
“Pavarësisht vështirësive secili prej nesh ka pasur rezultatet e tij, ndaj ju shpreh mirënjohjen time për angazhimin dhe sakrificave. Prokuroria e Posaçme do kalojë në një fazë tjetër, luftë më agresive ndaj korrupsionit të zyrtarëve të çdo niveli dhe krimit të organizuar. Kemi një prokurori me 70 prokurorë, kemi fituar eksperiencë në këto 3 vite pune. Ju nxis që të gjithë së bashku të demonstrojmë që jem të aftë kundër çdo shkelës ligji”, tha Dumani.
Altin Dumani u zgjodh në krye të SPAK të premten duke marrë 5 vota nga 10 anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që morën pjesë në zgjedhjen e kryeprokurorit të Prokurorisë së Posaçme. Ndërsa Edvin Kondili u rendit i dyti me 4 vota dhe Adnan Xholi mori vetëm një votë.
Dumani është drejtuesi i dytë i SPAK që prej krijimit të këtij institucioni kyç që pas reformës në drejtësi. Mandati i Dumanit është 3-vjeçar, pa të drejtë rikandidimi. Kjo ishte hera e dytë që Dumani kandidoi për të marrë drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, pasi herën e parë nuk fitoi përballë Arben Krajës.
Kush është kreu i ri i SPAK, Altin Dumani?
Altin Dumani është lindur në Shupenzë të Dibrës, dhe njihet si “prokurori i pakompromis”. Një prej dosjeve më voluminoze dhe të bujshme ishte edhe ajo e operacionit të koduar koduar “Golden Bullet”, “Plumbi i artë”, pas arrestimit të dy vrasësve me pagesë Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxha. Nga ky operacion u lëshuan 32 urdhërarreste. Ai është një nga prokurorët që drejtoi i pari njësinë Task Forcë, ngritur vite më parë për të luftuar krimin e jakave të bardha.
Ka një karrierë prej 20 vitesh si prokuror, në mars të vitit 1999, ka shkelur për herë të parë në prokurori, me detyrë në Sarandë, ndërsa sot është kreu i komanduar i prokurorisë së Apelit për Krimet e Rënda. Dumani bëri bujë me qëndrimin e akullt që mbajti gjatë gjykimit të 29 të pandehurve të Gërdecit dhe 3 dënimet e përjetshme që kërkoi për tre nga të pandehurit kryesorë të tragjedisë së 15 marsit 2008. Gjithashtu, Dumani ishte edhe prokurori që çoi në burg ish-gjyqtaren e Krujës, Enkelejda Hoxha.