Që nga dita kur ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu, përdori alegorinë “peshqit e mëdhenj’ në vend të zyrtarëve të mëdhenj dhe mafiozëve të mëdhenj të përfshirë në krim; që atë ditë dhe pa pushim nuk ka reshtur as ironia, as kureshtja, as mosbesimi ndaj ‘kapjes së peshqve të mëdhenj’. Prej atë ditë, zoti Lu është kufizuar të dalë në publik aq sa dilte më parë. Njerëzit, bash për këtë, shpresuan se kur të dalë, do të dalë me ndonjë ‘peshk të madh’ ndër duar.
Doli sot në një intervistë për median. Dhe foli për ‘peshkun’, ose më mirë të themi se u pyet rreth peshkut. Ai tregoi me gisht ‘peshqit e mëdhenj’, por tregoi ata që ndodhen ose për peshqit në rrjetë ose për peshqit në vaskë, ose në rezervuar- si të duash. Peshqit si Emiliano Shullazi ose Lul Berisha- të dënuar për krime kundër njeriut dhe përfshirje në organizata kriminale, tashmë ndodhen në burg. Edhe Klement Balili, thuajse i burgosur, përderisa është aq i pranishëm saqë në çdo mbrëmje e mëngjes njerëzit ngrihen me veshtë plot Balil, për shkak të lajmeve televizive.
Në vend të peshqve të mëdhenj, zoti Lu ofroi peshqit e zënë në rrjetë, ose edhe ata që ndodhen në vaskë si larva. Ndërsa peshqit e mëdhenj që notojnë në detin e krimit e të korrupsionit nuk i përmendi ëm.
Ja si u përgjigj zoti Lu, kur u pyet për ‘peshqit e mëdhenj’ :
“Ku janë peshqit e mëdhenj të premtuar?… Këtë pyetje i bëj çdo zyrtari të qeverisë që takoj. Shqiptarët kanë parë njëfarë përparimi por jo rezultatet e mëdha që presin.
Gjyqi i Emiljano Shullazit është drejt fundit. Në dhjetor, Gjykata e Lartë ra dakord të shqyrtojë lirimin para kohe të Lul Berishës nga burgu.
Policia ka rritur në mënyrë dramatike përpjekjet për të kapur Klement Balilin.
Por nuk duam premtime, duam rezultate. Njerëz seriozë në qeveri dhe në opozitë kërkojnë rezultate. Kjo përpjekje ka mbështetjen e plotë të prokurorëve federalë të SHBA dhe agjencive ligjzbatuese amerikane. Dhe ka mbështetjen time të plotë”.
Veritas.com.al/