Ambasadorja e BE në Shqipëri, Christiane Hohmann ka deklaruar se lufta kundër trafikimit, pastrimit të parave dhe korrupsionit, janë kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria për anëtarësimin. Në prezantimin e projektit të Bashkimit Europian EU4LEA, për Zbatimin e Ligjit në Shqipëri, ambasadorja tha se çelja e negociatave ka sjellë një rrugë maratonë dhe se duhet bashkëpunim.

Hohmann e cilësoi kusht të rëndësishëm daljen e Shqipërisë nga lista gri e pastrimit të parave, ndërkohë që vendi ka nisur rrugën e plotësimit të kapitujve. Po ashtu ajo veçoi se do të monitorohet nga afër historiku i hetimeve.

“Më lejoni të përmend çështjet kritike sa i përket institucioneve të BE. Së pari do të shikohet se si po konsolidohet reforma në drejtësi, formimi i institucioneve të pavarura të drejtësisë.

Së dyti; do të monitorohet nga afër historiku i hetimeve, ndjekjeve penale dhe i dënimeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit.

Së treti; do të priten më shumë rezultate në fushën kundër pastrimit të parave. Duhet të punojmë së bashku për të bërë të pamundurën që Shqipëria të dalë nga lista gri e FATF-së.

Së katërti; do të duhet një angazhim në luftën kundër luftës së prodhimit të kanabisit, armëve apo trafikimit të qenieve njerëzore.

Së pesti; zhvillimi i bashkëpunimit me shtetet e BE, me agjencitë e tyre të zbatimit të ligjit, me EUROPOL, etj, vijimësia e bashkëpunimit është thelbësore për të zhvilluar atë besim që është i nevojshëm, ndaj kërkon përdorimin e kanaleve të sigurta.

Ne duam që Shqipëria të dalë e suksesshme në këtë përpjekje, prandaj jemi këtu. Ky projekt për zbatimin e ligjit është këtu. Sipas këtij projekti shtete anëtare janë të gatshme për të bashkuar forcën që të japin ekspertizën e duhur. Duhet të punojmë së bashku për një Shqipëri më të sigurt.

Shqipëria duhet të dalë nga lista gri e pastrimit të parave. Ne do të vazhdojmë të mbështetemi te angazhimi juaj i plotë. Në një botë që është gjithnjë edhe më e turbullt bashkëpunimi në fushën e drejtësisë duhet të jetë më i fortë. Kjo kërkon edhe një dialog të fortë në nivelin politik.

Në 3 dhe 4 nëntor Tirana do të mirëpresë takimin ministerial mes BE dhe Ballkanit Perëndimor”, deklaroi ajo.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.