Nga Enkel Demi
Unë kam lindur në Tiranë, jam rritur në Tiranë, kam bërë universitetin në Shkodër dhe jetoj në Tiranë. Jam martuar në Tiranë dhe fëmijët e mi kanë lindur në Tiranë. Tim biri vazhdojnë t’i thonë “o çomo”. Edi Rama ka lindur në Tiranë, është formuar dhe jeton këtu, së bashku me fëmijët e tij, por gjithë jetën për të bërë dallimin me të ardhurit në kryeqytet thoshte, “ne, tironsit”. Unë nuk isha tek grupi “ne, tironsit”, sepse hyja tek grupi “o çomo”.
Me thënë të drejtën, identifikimi me krahinën nga vijnë prindërit dhe gjyshërit e mi nuk më ka ngjallur kurrë bezdi. Përkundrazi, ky farë veçimi, më ka bërë jo vetëm mua, por dhe shumë të grupit “o çomo” të ndjehemi pak më të veçantë, madje gjatë kohës së izolimit komunist dukeshim si “të jashtëm”. Vitet kanë rrjedhur dhe shumë nga ata të grupit “o çomo” kanë krijuar katandinë e tyre në Tiranë, Fier, Vlorë, Shkodër, Dibër e kudo. Nuk para ka çamë të varfër dhe një pjesë e tyre kanë këtu pasuri më të madhe se në Çamëri. Ky komunitet në mentalitetin e përgjithshëm mbahet shumë punëtor, i zoti në tregti dhe në sipërmarrje. Këtë talent e kanë shprehur qysh në kohët e komunistëve, kur fjala vjen familje si Nurët ia dilnin të mbanin bagëti dhe t’i mbijetonin aparatit të dhunës që po degjeneronte. Kjo veti, jo rrallë shkaktonte smirë dhe falë makinës së propagandës prodhoi një mal me të paqena që ua vunë në shpinë. Dikur në Tiranë ishin dibranët “pa din dhe iman”, më pas vendin e tyre e zunë çamët. Ky lloj margjinalizimi krijoi një farë simpatie mes dibranëve e çamëve, një simpati që shpjegon disi edhe pse PDIU është pritur shumë mirë nga votuesit e Dibrës.
Në dekikën, kur këta qytetarë vendosën të merren me politikë aktive, kur formuan fillimisht Shoqërinë Politike Atdhetare “Çamëria” dhe më pas Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, ridoli në pah zilia dhe normalisht u thirr në ndihmë antiçamizmi i komunistëve. Kështu për ndonjë komentator që lindi në ish-Bllok dhe hijet e tij nuk ka qenë e vështirë të artikulohet shprehja “tregu çam” apo ndonjë tjetër të shpërthejë me pyetjen “ku ka çamë në Dibër?”, thua se ishim “të jashtëm” si në kohën e Enver Hoxhës.
Antiçamizmi i shumë analistëve që vendlindjet i kishin në Has, Elbasan, Tiranë, Lezhë është një fill editorial, tashmë i konsoliduar. Në fakt, si mjet propagandistik krijon menjëherë tek njerëzit efektin boomerang. Eksperiencat e mëparshme rrëfejnë neverinë që ka shqiptari i thjeshtë nga sektarizmi krahinor, i cili padyshim është tradhëti kombëtare. Rastin më të freskët e kemi me sulmin që ju bë LSI-së në hapat e saj të parë. Fatos Nano i quajti “Lëvizja e Skrapallinjve të Inatosur”. Kjo propagandë sektare e shndërroi LSI-në në një forcë kombëtare të politikës. Antiçamizmi është po kështu i njëjtë, por ama veç ujë çon në një parti që edhe në librin e llogarive të Zaloshnjës së fundmi rezulton me një rezultat interesant në Tropojë. Po të shfletonte profesori Lezhën do shihte edhe atje të njëjtën gjë, sepse Dibra tash ka fol sërish.
Antiçamizmi i sotëm ngjan me antikosovarizmin e limonatave që përdorte e njëjta makinë propagande në fillim të viteve ’90. U duk sikur flisnim në at’botë për një etni tjetër, sak “të jashtëm”, por shpejt u kuptua që ishte vetëm propagandë dashakeqe, tradhëtare, sepse kur ngjau drama e refugjatëve shqiptarët treguan sa fort e kanë dashur dhe duan sho-shoqin, qofshin këta prishtinali, të grupit “ne, tironsit”, skrapallinj apo të grupit “o çomo”.
Dikur në qendër të Prishtinës (nuk e di në është akoma) ka pas qenë një kafe me emrin “Tirona”. Një nga pronarët ishte rritur në Prishtinë, por baba i tij qe skrapalli. Linte mendtë për ne, çomët.