I forti i rruges “Myslym Shyri”, i njohur për një sërë ngjarjesh kriminale, u arrestua pasditen e kaluar nga forcat Shqiponja, së bashku me dy shokë të tij, Dorian Qafa dhe Naldio Mali.
Dyshohet se të tre ishin pjesë e një grupi kriminal që shpërndante drogë në Tiranë.
Arrestimet u kryen në një lokal në rrugën Ali Demi. Gjergj Cukali është një prej personave të njohur të botës kriminale të kryeqytetit. Ai së bashku me miqtë e tij, morën peng Fatjon Demirlikën dhe kërkuan 100 mijë euro për lirimin e tij, në korrik të vitit 2004, në rrugën “Myslym Shyri”.
Në atë kohë, familjarët e Demirlikës njoftuan policinë, e cila vendosi të dërgojë një agjent të sajin për të dorëzuar gjobën e vendosur nga pengmarrësit.
Në momentin e dorëzimit të shumës prej 100 mijë eurosh, policia arrestoi Ledio Litën, i cili më pas tregoi vendin ku mbahej pengu Demirlika.
Pak orë më vonë, falë një tjetër operacioni policor, u bë lirimi i pengut si dhe u arrestuan Gjergj Cukali, Florian Metalla, Ilir Kodumi e Eduard Skuka. Në përpjekje për të shpëtuar nga duart e policisë, banda e pengmarrësve vrau Endri Shimën, mik i ngushtë me pengun Fatjon Demirlika.