Në samitin e radhës për Ballkanin e Hapur që zhvillua në Beograd me pjesëmarrjen e liderëve të vendeve partnere të nismës, Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës, u nënshkruan 4 marrëveshje  bashkëpunimi.

Marrëveshjet e nënshkruara  janë:

-Marrëveshja për sigurinë ushqimore midis Republikës së Serbisë, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut. (Marrëveshja u nënshkrua nga ministrat e Bujqësisë së vendeve përkatëse)

-Memorandumi i Mirëkuptimit në fushën e kinematografisë dhe aktiviteteve audiovizive në Ballkanin Perëndimor. (Marrëveshja u nënshkruan nga ministrat e Kulturës së vendeve respektive)

-Marrëveshje për bashkëpunimin në fushën e minierave dhe Energjisë. (Marrëveshja u nënshkrua nga Ministrat e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë dhe Serbisë)

-Plani ndër operativ në fushën e emergjencave civile mes Republikës së Serbisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë. (Marrëveshja u nënshkrua ndërmjet zv/ministrit dhe kreut të Departamentit të Emergjencave, Serbi, zv/drejtorit të Emergjencave Civile të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile të Shqipërisë)

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç u shpreh se Shqipëria dhe Serbia kanë marrëdhënie shumë të mira dhe se dy vendet kuptojnë dallimet e tyre, duke iu referuar kështu çështjes së njohjes së Kosovës nga Beogradi.

Vuçiç tha gjithashtu se dëshiron që nismës së Ballkanit të Hapur t’i bashkohen sa më shumë vende. Ai theksoi se detyra e Ballkanit të Hapur është që vendet të bashkëpunojnë sa më shumë njëri-tjetrin.