Po përgatisnin një sulm terrorist për të goditur koncertet e Taylor Swift, të parashikuara gjatë ditëve në vazhdim në Vjenë.
Me këtë akuzë, policia austriake arrestoi 2 persona, një prej të cilëve i kishte shpallur besnikërinë Shtetit Islamik. Alarmi ka detyruar organizatorët e tre koncerteve të yllit amerikan të popit në Austri, të njoftojnë anulimin e tyre.
Siç bëhet e ditur, autoritetet kanë bllokuar në fillesa, planin për sulmin e bujshëm terrorist, duke parandaluar kështu një tragjedi të mundshme. Policia austriake tha se një prej te dyshuarve, 19 vjeç, u arrestua në Ternitz, në jug të Vjenës, ndërsa një person i dytë u ndalua në kryeqytet.
“Dy të rinjtë, të cilët e kishin radikalizuar veten online, po planifikonin të shenjtëronin Vjenën në sulmin e tyre, me 19-vjeçarin që do të fokusohej në koncertin e Swift në kryeqendrën austriake”, tha Franz Ruf, drejtor i përgjithshëm i sigurisë.
Një 19-vjeçar, qytetar austriak, u arrestua gjatë mëngjesit në Ternitz. Një tjetër person u ndalua pasdite në Vjenë. Sipas informacioneve që kemi, të dyshuarit ishin radikalizuar në internet. Shtetasi 19-vjeçar nga Austria e Ulët, i ishte betuar për besnikëri liderit aktual të Shtetit Islamik në fillim të korrikut. Te dyshuarit po bënin përgatitje konkrete për sulmin terrorist.
Mediat austriake raportuan se në planet e të dyshuarve, përfshihej përplasja e turmave të njerëzve me makine jashtë sallës së koncertit, para se të sulmonin me hanxhar dhe thika. Gjatë operacionit blic që policia zhvilloi në banesën e 19-vjeçarit, përveç arrestimit të tij, sekuestroi edhe substance kimike të dyshimta.
Televizioni austriak pulse 24 raportoi se i riu ishte shqiptar nga Maqedonia e Veriut, por kjo nuk është konfirmuar. 34-vjeçarja Taylor Swift, duhej të performonte në datat 8, 9 dhe 10 gusht në stadiumin Ernst-Happel të Vjenës, i cili do të blindohej nga masat e sigurisë para vendimit të organizatorëve për të anuluar performancat.