Kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për përjashtimin e gjyqtares Iliriana Olldashi nga shqyrtimi i kërkesës për sekuestron e pasurive të Jamarbër Malltezi, dhëndrit të ish kryeministrit Sali Berisha, është rrëzuar nga gjyqtarja Miliana Muca.

SPAK kërkoi përjashtimin e gjyqtares Iliriana Olldashi nga shqyrtimi i çështjes së sekuestros mbi pronat e Jamambër Malltezit dhe kërkesës së Berishës për heqjen e masës së sigurisë ndaj tij. Prokuroria e Posaçme argumentoi se gjyqtarja është në konflikt interesi.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Miliana Muça, sot më 24.11.2023, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 11 akti, datë 23.11.2023 regjistrimi, regjistruar mbi kërkesën me objekt “përjashtimin e gjyqtares Iliriana Olldashi nga shqyrtimi i çështjes gjyqësore penale me objekt ankim kundër vendimit penal nr. 410 akti, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për vendosjen e masës së sigurimit pasuror (sekuestro preventive), me ankues personi nën hetim J.M dhe shtetasen A.M”, dhe vendosi: Të shpallë të papranueshme kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me objekt: “përjashtimin e gjyqtares Iliriana Olldashi nga shqyrtimi i çështjes gjyqësore penale me objekt ankim kundër vendimit penal nr. 410 akti, datë 20.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për vendosjen e masës së sigurimit pasuror (sekuestro preventive), me ankues personi nën hetim J.M dhe shtetasen A.M”– njofton GJKKO.