Frrok Çupi
Ky ka qenë një njeri i mirë në Amerikë, por përgjithësisht i dështuar. Shqiptarët e Amerikës e mbajtën ‘hopa’ dhe ia bënë jetën aktive. Dje ose pardje ka zbarkuar në Prishtinë si një ‘hero’ dhe këtu është shpallur ‘Qytetar Nderi’. Në Shqipëri është më pak i njohur, përveç atyre që kanë interes për ngjarjet politike.
Ky është një amerikan i zakonshëm dhe për këtë arsye nuk ka vlerë një profil i tij.
Por ka vlerë profili i shqiptarit; i shqiptarit në Kosovë, sidomos. Jo pse Joe u ftua në Kosovë, por pse ftohet bash tash.
Arsyeja pse Jo është një hero për Kosovën ka një lidhje ‘në kockë’ me atë çfarë po ndodh sot në Kosovë. Në Kosovë për herë të tretë mbahen zgjedhjet politike, por nuk ka as qeveri, as Kuvend, as President. Vëzhgues të huaj e quajnë ‘paaftësi për të bërë marrëveshje mes shqiptarëve’. Të tjerë e quajnë edhe ‘çudi se si ndodh kështu në këtë shekull’. Të tjerë e çojnë punën deri në pështjellimin se ‘a janë të aftë shqiptarët të ndërtojnë shtet’. Kjo tezë ka ardhur valë- valë gjatë historisë dhe tani që Shqipëria ndodhet në prag të BE, thuajse është venitur. Një tezë keqdashëse, edhe kur ishte më këmbë.
Cila është lidhja me Joe Dio Guardi?
Ky qytetar amerikan, një skifter i posteve dhe pushtetit, pasi humbi edhe si përfaqësues i distriktit të Nju Jorkut në Kongresin Amerikan, në vitin 1999, gjeti hapësirë tjetër. Në atë moment kapi situatën e shqiptarëve në Amerikë. Ata kishin vite në grindje me ‘fiset’ për zgjedhjen e kryetarit të lobit shqiptar. Pas shumë vite e vite, që nga humbja e Fan Nolit, shqiptarët ranë rehat me Joe si kryetar i lobit të tyre. Një amerikan u ngjit në krye të lobit shqiptar. I vetmi rast në Amerikë. Secili lob kishte edhe kryetarin e llojit të vet. Se ç’kuptim do të kishte?!
Njësoj si sot në Kosovë. Vetë politikanët kosovarë nuk po merren vesh për zgjedhjen e ‘kryetarit të lobit’. As president, as kryeministër, as Parlament. Derisa dikush tjetër nga kombësi tjetër të vijojë të hipë në krye, zor se do të gjendet rrugë. Kjo është edhe ironi.
Por ironi është edhe vetë ftesa për Joe DiGuard bash në këtë periudhë ngjashmërish ‘tragjike’.
Joe ka kaluar një jetë privilegjesh mes shqiptarëve patriotë të Amerikës. Paga ishte pagë, e majme sigurisht. Biletat e çdo fluturimi nëpër botë i paguheshin nga lobi atdhedashës shqiptar. Telefoni po. Banesa po. Shqiptarët mblidheshin në salla luksi amerikan dhe thërrisnin emrin e Dio Guardit. Kur ishte ky moment? E kam përjetuar aty nga vitet 90. Kur nëna e Joe ngjitej në tribunë dhe thërriste dy fjalë: ‘Scipëtarë! Gur gur binet mur and këlla’. (Gjasme kala). Joe në tribunë ‘am scipëtar’. Tundeshin flamuj kuqezi. Bëhej nami.
Kryetari i lobit shqiptar jetoi në flluskë një jetë të tërë. Asgjë nuk nxori në dritë për ‘scipëtarët’. Në vitin 2010 kandidoi për Kongresin Amerikan por humbi.
As kjo nuk ka shumë lidhje.
Lidhje ka pse shqiptarët që nuik po bëjnë dot shtet në Kosovë, thërrasin një amerikan që e thërritën kur nuk po bënin dot ‘lob shqiptar’ në Amerikë.
Lidhje ka inferioriteti i shqiptarit ndaj tjetrit që nuk është shqiptar. Edhe budallëku që dikush tund flamurin tënd dhe ti derdh dollarë, lot, ulërima dhe duartrokitje. Inferioriteti i flamurit bosh është një mbulesë e tmerrshme për defektet e mëdha.
Po pse po ftohet Joe në Kosovën tash kur po përmendet ‘litari’ i mos qeverisjes?!
Komente