Grupi parlamentar i Partisë Demokratike zhvilloi dje një mbledhje jashtë radhe për t’u informuar për ecurinë e negociatave për reformën në drejtësi. Gjatë diskutimeve, pati debate për mënyrën se si mazhoranca po i faturon opozitën koston në rast të dështimit të konsensusit.
Por, nuk munguan zërat kritikë edhe ndaj ambasadorëve, të përfshirë në negociatat për këtë reformë. Njëri prej tyre është Arben Imami, i cili u shpreh kundër rolit të ambasadores së delegacionit të Bashkimit Europian në vendin tonë, Romana Vlahutin.
Ish-ministri Imami tha se PD duhet të flasë publikisht ndaj ambasadores dhe ta kritikojë për punën që po bën, që sipas Imamit, Vlahutin është pozicionuar në krah të qeverisë Rama.
Fjala e Arben Imamit në mbledhjen e grupit të PD, zbardhur nga gazeta ‘Panorama’:
Arben Imami: Dua të kërkoj një gjë të përsëritur nga Partia Demokratike. A mund të kemi një qëndrim më të fortë politik ndaj ambasadores së BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin? Duhet të ishim artikuluar më parë, por edhe tani që flasim nuk është vonë nëse e themi të vërtetën ashtu siç është. Është një ambasadore e angazhuar publikisht dhe politikisht në përkrahje të qeverisë. Teknicieni që EURALIUS ka në tryezën e negociatave, sigurisht ka ndryshuar qëndrim vetëm përmes mesazheve që vijnë nga ambasadorja e BE-së në Tiranë për ta kundërshtuar konsensusin që u arrit. Mbështes atë që tha Z.Basha se ka një plan për t’ia faturuar opozitës këtë çështjen e reformës, që më pas të përdoren në fushatë.