(Foto: Pas daljes nga Gjykata, ku ish-presidentja Kirchner u akuzua për bashkëpunim të paligjshëm dhe administrim mashtrues).
Ish drejtuesja e vendit dyshohet për favoritizëm në dhënien e kontratave publike një biznesmeni dhe entourage-it të tij.
Ish-Presidentja Cristina Fernandez de Kirchner, e cila qeverisi Argjentinën nga 2007 deri në 2015, u akuzua të martën nga një gjyqtar në Buenos Aires për favorizim gjatë dhënies së kontratave publike një biznesmeni të afërt me të.
“Gjyqtari Julian Ercolini ka akuzuar ish presidenten për bashkëpunim të paligjshëm dhe administrim mashtrues. Ai urdhëroi ngrirjen e pasurive të saj prej 10 miliard pesos [600 milion euro]”, sipas një komunikate të Ministrisë së Drejtësisë. Cristina Kirchner, tashmë nën hetim për një çështje spekulimesh me kursin e këmbimit, e denoncoi menjëherë “këtë manovër të shkëlqyer persekutimi politik” gjatë largimit nga gjykata.
Ajo dyshohet se ka favorizuar biznesmenin Lazaro Baez në marrjen e kontratave të punëve publike në krahinën e Santa Cruz, fortesa e saj politike që ndodhet në Patagoni, në Argjentinën jugore.
Përveç ish-presidentes, ishte paditur gjithashtu edhe ministri i saj i Planifikimit, Juliode Vido. Lazaro Baez, sipërmarrës ndërtimi, është i burgosur që nga prilli. I afërt i Nestorit (president nga 2003 deri në 2007) dhe Cristina Kirchner-it, ai është pasuruar në mënyrë të konsiderueshme gjatë tre mandateve të çiftit.
“Unë jam as mike as partnere e Baez”, është mbrojtur Cristina Kirchner, 63 vjeçe, në deklaratën e saj para gjyqtarit.
/Veritas.com.al/