Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj është larguar nga Shqipëria para se Kuvendi të shqyrtojë kërkesën e SPAK për arrestimin e tij. Largimin e tij e ka konfirmuar avokati Henrik Ligori në mbledhjen e Këshillit të Mandateve që u mbajt një ditë më parë, 11 korrik 2023. Sipas Zërit të Amerikës, nga verifikimet e sinjalit të celularit të Ahmetajt, rezulton se momenti i fundit i vendndodhjes të ketë qenë Kanadaja. Dyshohet se Ahmetaj është larguar nga kufiri tokësor i vendit, drejt Greqisë pak orë përpara se sa Prokuroria t’i dërgonte parlamentit shkresen per arrestimin.

Zëri i Amerikës shkruan se më pas Ahmetaj kishte prerë online një biletë avioni për në Itali, por që nuk e ka përdorur.

Këshilli i Mandateve do të mblidhet sërish sot në orën 16:00, pasi një ditë më parë mbledhja u shty me kërkesë të avokatit të Ahmetajt, i cili kërkoi më shumë kohë për të shqyrtuar dosjen prej 400 faqesh. Në mbledhje pati debate mes opozitës dhe mazhorancës, pasi PD kërkoi që mbledhja të mbahej me dyer të hapura. Kërkesa erdhi nga deputeti Ervin Salinaji por Ermonela Felaj refuzoi, në referim edhe të kërkesës së kreut të SPAK, Altin Dumani që kishte kërkuar ruajtjen e sekretit hetimor. Deputeti i opozitës, ka akuzuar Felajn për konflikt interesi, duke pretenduar se ajo është pjesë e dosjes hetimore të SPAK.