Një efektiv i rendit dhe një i Policisë Bashkiake u arrestuan pasi kanë shpërdoruar detyrën duke ndaluar të rinj që i kapnin me cigare hashashi në zonën e Liqenit artificial në Tiranë. Efektivët u vinin prangat që të dukeshin sa më të besueshëm që po bënin detyrën, dhe u merrnin të rinjve nga 20 deri në 50 mijë lekë, duke i lënë më tej të lirë në këmbim që mos t’i shoqëronin në komisariat.

Mësohet se ndaj tyre ishin bërë 9 kallëzime, por vetëm 3 raste janë dokumentuar. Sakaq, kryepolici Muhamet Rrumbullaku ka nisur procedurat për përjashtimin nga Policia e Shtetit për efektivin e komisariatit numër 1, Serxhio Cani. Që kur është vendosur në krye të Policisë, Rrumbullaku deri më tani ka përjashtuar 13 efektivë.