Policia e Tiranës arrestoi një grua dhe një djalë, pasi i akuzon se kundërshtuan punonjësit e Policisë, bllokuan qarkullimin në Rrugën e Durrësit dhe dogjën kazanë për mbeturina. Njëri prej tyre, dyshohet se është autor i një vjedhjeje të kryer 5 ditë më parë.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan në flagrancë shtetasit V. C., 49 vjeçe dhe B. P., 27 vjeç, pasi gjatë protestës së zhvilluar më datë 27.10.2026, përpara godinës së Ministrisë së Arsimit, dyshohet se kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë, kanë hedhur sende të forta, në drejtim të Ministrisë së Arsimit, si dhe se kanë djegur kazanë për mbeturina. Si pasojë u dëmtua prona publike dhe u bllokua qarkullimi në Rrugën e Durrësit. Nga verifikimet e mëtejshme dyshohet se shtetasi i arrestuar, B. P., më datë 23.10.2026, në rrugën “Abdi Toptani”, ka vjedhur kasën e motomjetit të shtetasit Xh. C. (me vlerë rreth 1000 euro)”, tha policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Vjedhja”.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *