Policia e Tiranës njoftoi sot se ka arrestuar dy të rinj gjimnazistë, një djalë dhe një vajzë duke parandaluar një ngjarje kriminale. Sipas njoftimit që vjen nga Komisariati 2, pas një sherri mes të rinjve në gjimnazin “Vasil Shanto” 3 ditë më parë u thelluan hetimet. Në pranga kanë rënë G. F, 16 vjeç, lindur në Lezhë dhe banues në Tirane i cili është djali i deputetit të Partisë Demopkratike Mhill Fufi. Atij i është gjetur një armë zjarri pistoletë e tipit “Ekol”. Ai akuzohet për veprën penale të “Armbajtje pa leje”. Në pranga është vënë edhe shoqja e tij M. B, 17 vjeç, lindur e banuese në Tiranë. Ajo akuzohet për “Armbajtje pa leje ” dhe “Moskallëzim krimi”. Në gjendje të lirë do të ndiqet i riu A. H, 16 vjec.
Ngjarja
Këta të rinj u arrestuan pasi në 1 dhjetor i riu G.F, nxënës në gjimnazin “Besnik Sykja” ka shkuar në mbështetje të disa shokëve të tij të cilët ishin duke konfliktuar me disa persona pranë shkollës “Vasil Shanto”. Me pretendimin për tu sqaruar pasi është përfshirë në këtë konflikt, ka gjuajtur me grushta njërin nga personat e palës tjetër.
Në këto kushte shtetasi djali i deputeti Fufi, i përfshirë në sherr është frikësuar pas kësaj situate të ndodhur, për këtë arsye ai ka shkuar në qytetin e Laçit dhe ka marrë një pistolete “Ekol”, duke e mbajtur me vete në shkollë për vetëmbrojtje nga personat të cilët kishte goditur me grushta. Gjatë procesit të mësimit, ai ja ka dhënë pistoletën shoqes së shkollës me iniciale M. B, për ta mbajtur në çantë, e cila u arrestua nga policia gjithashtu. Veprimet u kryen në prezencë të psikologes së shkollës dhe psikologes së Policisë, dy avokatëve dhe në prezencë të familjarëve.