Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Forcat Operacionale dhe Prokurorinë e Posaçme, kanë vënë në pranga Ergys Agasin, i cili ishte shpallur në kërkim për aferën e AKSHI-t.

Agasi është arrestuar nga Forcat Operacionale në zonën e Plepave, teksa ka qenë duke udhëtuar me automjet. Ky i fundit, në momentin e arrestimit, ka qenë duke udhëtuar nën shoqërinë e ish-drejtuesit të Policisë, Uljan Shpataraku, i cili është vënë në pranga. Ai njihej edhe si i besuari i ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda.

Sipas burimeve, mësohet se Agasi ishte nën vëzhgim nga policia prej disa kohësh, ku forcat e policisë, në koordinim me SPAK-un, kanë monitoruar lëvizjet, duke bërë të mundur arrestimin këtë të mërkurë. Mësohet gjithashtu se Forcat Operacionale e kishin pikasur makinën e Agasit që në qytetin e Elbasanit dhe e kanë ndjekur atë deri në zonën e Plepave në Durrës.

Pas arrestimit, Agasi dhe Shpataraku janë dërguar në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës për kryerjen e procedurave të mëtejshme.

Agasi ishte në kërkim prej dhjetorit 2025, kur SPAK lëshoi urdhër-arrest ndaj tij në kuadër të hetimeve për dosjen e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Sipas dosjes së SPAK-ut, Agasi, së bashku me biznesmenin Ermal Beqiraj, akuzohen për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal, të dyshuar për manipulimin e tenderave të AKSHI-t.

Agasi dyshohet për kryerjen e veprave penale: “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Ergys Agasit iu sekuestruan nga SPAK-u në total 29 prona, mes të cilave apartamente, vila dhe sipërfaqe toke në zona të njohura në Tiranë dhe Durrës, disa llogari bankare dhe kompania EA Solution.

Në kuadër të së njëjtës dosje është vënë në pranga në Francë Ermal Beqiraj, ndërkohë ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe ish-zv.drejtoresha e AKSHI-t, Hava Delibashi, janë lënë nën masën “detyrim paraqitje”.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *