Një ditë pas dorëheqjes, ish-drejtori i ARRSH-së Evis Berberi ka rënë në pranga me urdhër të SPAK pasi akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.

Mësohet se ka edhe persona të tjerë të arrestuar, ndërsa SPAK pritet të dalë me një njoftim zyrtar.

Berberit i janë gjetur në shtëpi shuma të mëdha parash dhe piktura të shtrenjta. Rreth dy javë më parë, SPAK ka nisur ndaj Berberit një hetim, për çështjen e shitjes së një kompanie në vitin 2018.

Mësohet se hetime kanë nisur dhe për aferat me rrugët.  Prokuroria e Posaçme ka regjistruar procedim penal për Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe ka nisur hetimin për shkelje të barazisë në tendera dhe abuzime me tenderat.

Më 17 shkurt 2024, një ditë pas shembjes së rrugës “Korçë-Ersekë”, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion do të deklaronte nisjen e hetimit dhe regjistrimin e procedimit penal ndaj kompanive “A & E ENGINEERING” me aksionere Entela Çano dhe kompanisë “A.N.K” me pronar Agim Kola.

Akuzat ishin të qarta; Shpërdorim detyre, mashtrim me projektin e rrugës, mashtrim teknik, mashtrim e falsifikim me procesin e mbikëqyrjes së punimeve, kryer në bashkëpunim.

Ndërkohë, një ditë pas regjistrimit te procedimit penal dhe nisjes së hetimit ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Rrugëve (ARRSH), Evis Berberi, Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, zbarkuan në 3 banesat e Drejtorit të Autoritetit Rrugor, duke sekuestruar dokumente, kompjuter, 2 telefona dhe 3 USB, ku besohet se ka prova dhe për afera me rrugët e tjera.

Janë zbardhur detaje të reja nga arrestimi i ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, i cili u prangos ditën e djeshme, disa orë pasi doli nga zyra e tij, nën akuzat për pastrim parash dhe korrupsion.

Ndërkaq, në kuadër të këtij hetimi konfirmohet dhe një tjetër urdhërarrest për bisnesmenin Valter Begaj.

Gjatë kontrolleve në banesën e tij nga agjentët e BKH-së dhe SPAK, mësohet se drejtorit të ARRSH-së i janë gjetur disa piktura me vlerë mijëra euro, si edhe një shumë e konsiderueshme parash.

Piktura e gjetura janë konsideruar si ryshfet, nga SPAK, por Evis Beberi është “hequr” si artist duke pohuar se i kishte bërë vetë ai dhe se nuk ishin blerë. Gjithashtu, gjatë kontrolleve në banesë, i janë sekuestruar dhe një sërë sendesh personale si celularë, laptop, USB, dhe dokumente. Kontrolle ka pasur dhe në zyrën e tij në Autoritetin Rrugor Shqiptar.