Arrestohet permbaruesi pasi akuzohet se ka shpërdoruar detyrën me firmën e tij të përmbarimit privat. Fatos Alimadhi, 54 vjeç, nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi kjo është hera e tij e 3-të që arrestohet. Me firmën e tij të përmbarimit ‘Alimadhi SHPK’, ai është arrestuar edhe në 2015 dhe 2018 pikërisht për mashtrim duke përvetësuar shuma të konsiderueshme parash.
Sot Alimadhi është vënë në pranga për shpërdorim detyre, pasi së bashku me dy përmbarues të tjerë kanë firmosur për bllokimin e llogarive bankare të familjarëve të një personi që kishte ndërruar jetë. Nën hetim janë vënë edhe dy kolegët e tij S. D., dhe P. Q., po për shpërdorim detyre.
Si ndodhi ngjarja? Një shtetas kishte marrë kredi në emër të një subjekti dhe pas disa kohësh ai ka ndërruar jetë. Sipas ligjit në momentin që ndërron jetë personi që ka marrë kredinë, atë e mbulon siguracioni i jetës. Por në mënyrë të padrejtë përmbaruesi Fatos Alimadhi, vëllai i ish deputetit Adriatik Alimadhi, i bllokoi llogaritë familjarëve të të ndjerit dhe nuk i lajmëroi ato.
Në 2018, permbaruesi Fatos Alimadhi arrestuar pasi përfitoi 32.255 euro në lidhje me shitjen e një apartamenti duke shpërdoruar detyrën. Përmbaruesi Alimadhi akuzohej se shiti një apartamenti, ku në ankandin e dytë, në baze të ligjit duhet të shitej me vlerë 20% më i ulët se ankandi i pari, por ky apartament është shitur disa herë më ulët se kjo vlerë që para shikon ligji, duke bërë që ai të përfitonte shumën prej 32.255 euro. Në atë kohë Alimadhi iu shmang hetimit duke zhdukur dosjen përmbarimore.
Edhe në 2015 Fatos Alimadhi është arrestuar për mashtrim me pasoja të rënda, pasi ka përvetësuar 4,5 milionë lekë të reja të disa shtetasve, të cilët kishin përfituar të drejtën për shpërblim shëndetësor.