Artistët kanë lajmëruar përshkallëzimin e protestave në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. Në protestën e zhvilluar sot para godinës së Teatrit, aktorët kanë bërë të ditur se do të hyjnë në grevë urie nëse qeveria “Rama” nuk tërheq projektligjin për shembjen e godinës.

Aktori Arben Derhemi u shpreh se artistët janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë për të mos lejuar që një pasuri shpirtërore e kombit të zhduket.

“Do bëjmë çdo gjë për të mbrojtur Teatrin, do hyjmë edhe në grevë urie. Të vijnë të gjithë njerëzit të protestojnë këtu. Kjo verë tha dikush do jetë shumë e nxehtë. Mos guxoni t’i afroheni Teatrit Kombëtar as edhe me një shkrepëse se kjo nuk merr flakë, harrojeni”,- tha Derhemi.

Qeveria “Rama” ka depozituar në Kuvend projektligjin që i heq tokën e teatrit shtetit dhe ja jep një kompanie private, e cila ka planifikuar ndërtimin e disa kullave dhe të një teatri të ri. Aktorët thonë se projekti i ri shkatërron teatrin ekzistues dhe vlerat që ka kjo godinë historike, si dhe merr 80 për qind të pronës publike për ambiente banimi dhe biznese.

Bashkia e Tiranës ka nisur negociatat me aktorët për të pranuar projektin e ri. Bisedimet nuk kanë sjellë asnjë marrëveshje deri më sot. Një javë më parë artistët deklaruan nisjen e protestave të përditshme të cilat zhvillohen para godinës së Teatrit Kombëtar. Sipas artistëve, dyshohet se miratimi me shpejtësi i ligjit në Kuvend do të sjellë fadromat për shembjen e godinës.

Pas protestave të përditshme, aktorët sot njoftuan hapin e radhës që është greva e urisë. Nëse artistët vendosin të hyjnë në grevë, pritet të ketë zhvillime dhe protesta më të mëdha qytetare në mbrojtje të kauzës së tyre.

Veritas.com.al/