Një investigim i posaçëm ka analizuar në detaje akuzat e bëra publike nga mediat në lidhje me gjyqtarin Asim Vokshi dhe Këshillin e Emërimeve në Drejtësi (KED), përfshirë edhe pretendimet se ky i fundit ka fshehur informacione të rëndësishme mbi integritetin e kandidatit. Hetimi ka siguruar një sërë dokumentesh zyrtare, përfshirë vendime të KED-së, korrespondencë me agjenci shtetërore që hedhin dritë mbi zhvillimet reale të çështjes.

Çfarë rezulton nga dokumentet zyrtare

Sipas dokumenteve të siguruara nga investigimi, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, me Vendimin nr. 14, datë 17.06.2025, kishte kërkuar informacion për kandidatin Asim Vokshi nga të gjitha organet përgjegjëse për sigurinë dhe integritetin publik, përfshirë AKSIK, AMP, AIDSSH, SPAK dhe Prokurorinë e Përgjithshme.
Të gjitha këto institucione – sipas përgjigjeve zyrtare – nuk kishin konstatuar asnjë të dhënë negative për kandidatin. Në mënyrë të veçantë, AKSIK deklaron se “nuk disponohen të dhëna për përfshirjen e z. Asim Vokshi në veprimtari që cenojnë sigurinë kombëtare”, ndërsa AIDSSH sqaron se Vokshi “nuk është subjekt verifikimi, pasi në korrik 1991 ishte nën moshën 14 vjeç”.

Reagimi i KED ndaj një shkrese të klasifikuar

Pas këtij vendimi, AKSIK më vonë përcolli një shkresë të klasifikuar “`”, çka çoi KED-in të zhvillonte dy mbledhje të mbyllura në shtator 2025 (më 11 dhe 16 shtator). Nga hetimi administrativ rezulton se pas verifikimeve shtesë, nuk u gjet asnjë provë e re që të përmbyste përfundimet e mëparshme. Ky proces është i dokumentuar në Vendimin nr. 27, datë 17.09.2025 të KED, ku konstatohet se “nuk ekzistonin të dhëna të reja apo të verifikueshme që të përmbysnin përfundimet e mëparshme”.

Transparenca dhe procedurat ligjore

Ndryshe nga pretendimet për mungesë transparence, dokumentet tregojnë se në çdo mbledhje të KED ka qenë i pranishëm përfaqësuesi i Avokatit të Popullit si vëzhgues institucional. Të gjitha vendimet dhe raportet përfundimtare janë publikuar në faqen zyrtare të Këshillit, përveç atyre që përmbajnë informacion të klasifikuar, i cili nuk mund të bëhet publik sipas ligjit.

Dokumentet për Gjykatën e Lartë

Investigimi tregon se Kryetari i KED, njëkohësisht Kryetar i Gjykatës së Lartë, nuk ka fshehur dokumente nga trupa gjyqësore, siç pretendohej. Sipas Vendimit nr. 2, datë 30.09.2025 të Mbledhjes së Posaçme të Gjykatës së Lartë, dosja për kandidatin Asim Vokshi – përfshirë të gjitha vendimet dhe raportet e KED-së – i është vënë në dispozicion gjyqtarëve një javë përpara votimit. Procesverbali i mbledhjes nuk përmban asnjë ankesë apo vërejtje për mungesë informacioni.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *