Nga: Agim Xhafka/
Më vjen ndër mend veç e qeshur Zyhraja e shtypshkronjës. Me ata sytë larushë,si të një dhelpre të bukur e me sjelljen kaq fisnike e plot hire sikur kishte mbaruar ndonjë akademi mbretërore të edukatës në Londër.
Kur isha gazetar e shkoja atëhere në shtypshkronjë sapo kisha kaluar 30 vjet. Aty pashë për herë të parë Zyhranë. Ishte më e madhe se unë, mbase 15 vjet, por ama qe tërheqëse si pamje e si komunikim. Fshehur e dëshironin të gjithë.
Mësova se ishte beqare dhe se nuk kishte asnjë fjalë për të. Askush nuk saktësonte në se ishte e lidhur me ndonjë person. Por nuk besoja se ajo e kalonte kohën të pambushur me ndonjë mashkull që e mendoja të pashëm e të fuqishëm.
Një mbasdite,rrethuar nga plot vajza e gra,Zyhraja ia kishte nisur bisedës së dashurisë. Fliste vetëm ajo dhe për çudi nuk ishte e qeshur, si përherë.
Askush nga ju nuk është martuar me dashuri,u thoshte grave. Ato kundërshtonin,por Zyhraja ecte në fjalimin e vet. Se te martohesh me dashuri do të thotë të vdesësh. Këtu u dëgjua një uuuuuuu e zgjatur e ajo nisi sqarimin. Në se burrin e merr me dashuri ti,si grua, nuk duhet të flesh më. Duhet të rrish zgjuar kur ai fle. Se mund të zbulohet,mund të ketë ankthe, mbase sheh ëndërra të këqija. Gratë nisën qeshjet, por Zyhraja vazhdonte. Kur burri fle ti ke mundësi ta shtosh dashurinë. Se në atë çast ai është i tëri tëndi. Nuk ngopesh dot duke e vështruar, duke i kënduar pa zë, duke u lutur që burri të ketë jetë e shëndet,që familje të ketë lumturi. Pastaj lehtë e lehtë i fërkon ballin, flokët me onde, buzët e mollëzat e faqeve. Deri në agim zgjuar. E kur ai shkon në punë, eh, ku ka grua të dashuruar të durojë gjallë sa të kthehet burri. Do pëlcasë nga padurimi, do vdesë në pragun e shtëpisë duke pritur dashurinë…
Kur fliste kështu syri i kishte humbur lëvizjen, bebet që dikur hidheshin si ketra andej këndej rrinin të palëvizur në retinën larushe. Ishte ngurtësua në një pikë Zyhraja,ama dhe gratë rrinin qetazi,pa fjalë. Mbase diç u dhembi dhe atyre,mbase dashuria që përmendi Zyhraja nuk ishte ajo që ato jetonin.
M’u ngulit ky nocion i saj dhe me thënë te drejtën kaq safi nuk e ndesha askund në jetën time. Do kisha shumë dëshirë,por ja që ky fat më ra.
Zyhraja,e fandaksura e dashurisë së madhe e të pastër nuk u martua asnjëherë. Kaloi vitet mbledhur me nënën e vet, rrethuar me shumë shoqëri,por tani mbase ka ngelur vetëm pas kaq vitesh. Por jam e sigurt se ndjehet mirë. Ajo jeton siç do dhe jo siç duhet. Gdhihet e ngryset me dashurinë e madhe në gjoks. Mbase nuk gjeti të duhurin, por në zemër mbolli e kultivoi dashurinë e madhe. Pasionin e quante hyjnor,e quante qiellor e do ikë një ditë lart me dashurinë e saj të madhe. Zyhra,të kam quajtur si Shën Marinë. Ajo mbajti në krahë Krishtin, ti përqafove dashurinë. Mbase veç në ëndërra,por sa miliona njerëz në glob rrojnë veç për ëndërra. Se dhe ato njerëzore janë, krijime të zotit për qetësimin e shpirtit nga traumat dhe pengesat,ura për kapërcimin e dhimbjeve dhe melhem për lëndimet…
Veritas.com.al/