Shoqata e Gjyqtarëve të Shqipërisë ka kritikuar qëndrimet e kryeministrit Edi Rama për padinë e tij në Gjykatën Kushtetuese ku kërkon heqjen e pezullimit të zv, kryeministres Belinda Balluku, me argumentin se cënon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave dhe parimin e ndarjes së pushtete.
“Shoqata shpreh shqetësimin dhe indinjatën lidhur me qasjen që kreu i pushtetit ekzekutiv ka zgjedhur të bëjë për këtë problematikë, e cila është pjesë e juridiksionit të pushtetit gjyqësor. Nën petkun e ankesës për uzurpimin e pushteteve ekzekutiv dhe legjislativ nga ai gjyqësor në të vërtetë fshihet një mesazh presioni ndaj organeve të drejtësisë që kanë për shqyrtim çështjen në fjalë”, thuhet në reagim.
Por i menjëhershëm ishte reagimi i kreut të qeverisë. Rama mohoi të bëhet fjalë për presion ndaj gjyqtarëve, ndërsa i kujtoi këtyre të fundit se kush i sulmon dhe kush i mbështet.
“Ose nuk e dinë kuptimin e fjalës presion, sepse nuk i kam parë të ankohen për ca të tjerë, që prej vitesh u këndojnë librin e shtëpisë njerëzve të drejtësisë, ose e dinë që kur ankohen për mua, nuk u hyn gjemb në këmbë, sepse unë jam ai që kam 10 vjet që nuk luftoj me ta, po luftoj për ta – madje duke i përtypur në heshtje, si çështje të pavarësisë reale të shpallur botërisht me Reformën në Drejtësi, edhe jo pak “lajthitje” të dhimbshme të gjyqësorit, në dëm të lirive e të drejtave të njerëzve të këtij vendi dhe të interesave të këtij shteti”, thotë Rama.
Rama thotë se gjyqtarët po përpiqen të kalojnë përmes një vendimi në Gjykatën Kushtetuese një tjetër rritje të rrogës prej 1600 eurosh, dhe në dallim nga hera e parë, tashmë nuk do të heshtë.
“Heshtja ime herën e parë, përpara se sa të merrej ai vendim befasisht i turpshëm, nuk do të përsëritet këtë herë, kur me (ri)kërkesën në fjalë, shoqata e gjyqtarëve po tenton të marrë nga buxheti i shtetit, duke anashkaluar qeverinë dhe parlamentin, një rritje të re prej plot 1600 Eurosh – po po, 1600 Euro plus pagës aktuale – të pagave të magjistratëve e të këshilltarëve të tyre”, shprehet kryeministri Rama.
Rama nënvizon se ai do të vazhdojë të ndajë me publikun opinionin e tij për çështjen ku është palë, pasi funksioni që mbulon është goditur në pavarësinë e vet nga një prokuror dhe gjyqtar. Ndërsa pushteti ekzekutiv rrezikon të gjymtohet në të ardhmen për shkak të atij vendimi.
Komente