Procesi i vaksinimit të mësuesve është shtrirë në të gjithë Shqipërinë tashmë, pas nisjes nga Tirana vetëm pak ditë më parë. Në Durrës, Kryeministri Rama, bashkë me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastriliu, ishin për të parë nga afër procesin e vaksinimit të mësuesve të këtij qyteti.
“Edhe në Durrës, vaksinimi i mësuesve po ecën shumë mirë”, – tha ministrja e Shëndetësisë, teksa shtoi se “në gjithë Shqipërinë janë 41 shkolla ku është hapur procesi i vaksinimit”.
Silva Bino, shefe e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP shprehet se “që nga e shtuna deri më tani, procesi ka ecur mirë, nuk ka pasur efekte anësore të rënda, gjëra që janë të zakonshme me vaksinën e natyrisht ka një lloj hezitimi me gjithë publikimet që bëjnë mediat”.
Sa i përket këtij shqetësimi të ngritur, Kryeministria Rama nënvizoi se: “nuk kanë asnjë faj njerëzit që të shqetësohen nga lloj – lloj lajmesh, lloj – lloj lëvizjesh që mund të kenë 1000 arsye. Kjo është luftë e madhe për jetën, por është dhe luftë e madhe tregtare, nuk diskutohet. Polonia, Hungaria, Çekia, Sllovenia, Kroacia, Serbia, Kanadaja, Belgjika kishte konfirmuar sot prapë që do vazhdojnë sepse nuk ka asnjë evidencë shkencore dhe nuk mund të ndalojmë vaksinimin thjesht për një dyshim që lidhet me një seri tjetër. Të gjithë, edhe pjesa që ka bërë pezullimin, presin konfirmimin e OBSH-së dhe të EMA-s. EMA është Agjencia Europiane e Barnave që deri më tani ka konfirmuar vetëm vlerën dhe dobinë e vaksinës dhe nuk ka dhënë asnjë shenjë luhatje. Nëse do thonë ndaloni, do ta ndalojmë. Ajo që unë sot po flisja me Londrën, është që aty janë bërë miliona vaksina AstraZeneca e nuk ka fare asnjë shqetësim nga askush dhe Agjencia Britanike e ka ri konfirmuar dhe vazhdon vaksinimin”.
Bino shtoi se “OBSH-ja ka thënë që të gjitha partitë që janë shpërndarë në vende si tonat dhe vende të tjera janë një parti që nuk kanë të bëjnë fare me partinë, të cilat janë bllokuar dhe tërhequr, që ka pasur një dyshim”.
Mësuesit dhe pedagogët janë një nga hallkat më të rëndësishme të zinxhirit të shoqërisë sonë dhe si të tillë po vaksinohen menjëherë pas mjekëve dhe infermierëve, teksa synimi është që deri në sezonin turistik të kësaj vere, shumë hallka të infeksionit nga virusi të këputen falë shtrirjes sa më të gjerë të procesit të vaksinimit.
Vaksinimi i mësuesve ka nisur ditën e shtunë pas mbërritjes së 38.400 dozave të AstraZeneca nga platforma COVAX.
VERITAS.COM.AL