“Mami ngriti armën dhe qëlloi babin”, kjo është pamja që do të mbetet përgjithmonë në mendjen e vajzës së Klodiana Celos, 47 vjeçares e cila është në burg, dhe mjekut George Neos që po “lufton” për jetën në spital pas plagëve të marra.
Ngjarja e rëndë u regjistrua të enjten në kryeqytetin grek, kur Klodiana, gruaja me origjinë shqiptare vendosi të qëllonte me breshëri plumbash, babain e fëmijës së saj në mes të rrugës, për t’i “dhënë fund” problemeve lidhur me kujdestarinë.
Menjëherë pas tmerrit që pa me sy, pasi gjithçka ndodhi në praninë e saj, e vogla u dërgua në Mbrojtjen e të Miturve, ku tregoi ndjesitë dhe ngjarjet që ka përjetuar vitet e fundit. 12-vjeçarja tregoi për “luftën” që ka mbizotëruar mes prindërve të saj lidhur me kujdestarinë dhe sekondat përpara dhe pasi plumbat të depërtonin trupin e babait të saj 68-vjeçar, me profesion mjek.
Vajza e vogël, ardhur nga një raport jashtëmartesor i shqiptares me 68-vjeçarin, prej disa vitesh jetonte me babain e saj dhe bashkëshorten e tij britanike, e cila duke folur për ngjarjen e rëndë, tha se Klodiana Celo i ushtronte mjekut dhunë psikologjike.
“Është e sëmurë ajo grua. Ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj nesh, ajo është e rrezikshme. Nuk i është lejuar asnjë kontakt me fëmijën, pasi nuk ishte mirë, vajza e vogël e kishte frikë. Nuk e donte si nënën e saj vajza”, tha ajo.
Në të njëjtën kohë, Klodiana Celo qëndron në paraburgimin, ndërsa sot pritet të dërgohet në prokurori ku do t’i jepet një afat për të kërkuar falje ndërsa informacionet thonë se ajo që po i tregonte policisë, mes përshkrimeve dhe historive të pakuptueshme është se nuk donte të vriste mjekun okulist.
Me pare ajo kishte shkruar ne rrjetet socialie se ‘ora e drejtesise po vjen!’.
Policia ndërkohë ka nisur hetimet, lidhur me armën të cilën mbante gruaja ku dhe si e gjeti atë.
Ngjarja e rëndë është regjistruar mesditën e së enjtes në Athinë, kur shqiptarja me një plan të mirëorganizuar priti që mjeku të dilte të merrte vajzën nga shkolla për ta qëlluar me armë.
Fillimisht u tha se ai humbi jetën në vend, por më pas kur u dërgua në spital u zbulua se kishte ende shenja jete. Gjendja e burrit është e rëndë dhe shanset për të jetuar po shuhen nga momenti në moment.