Audiopërgjimi publikuar nga PD pak muaj më parë, i cili implikon vëllain e Fatmir Xhafajt, Agron Xhafaj, në pazare droge, është i montuar!.

Në këtë konkluzion ka mbërritur Prokuroria e krimeve të Rënda, e cila sot ka ngritur akuzë për tre persona. Mes atyre që do të vihen para para hetimit, prokuroria ka gjetur edhe ‘interpretuesin’ e zërit të vëllait të ministrit të brendshëm, Agron Xhafaj. Pak ditë më parë mbërriti në Ministrinë e Drejtësisë ekspertiza e laboratorit anglez mbi audiopërgjimin.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur akuzë për Albert Veliun, i njohur si ‘Babalja’ apo dëshmitari X, Fredi Alizotin si edhe Jetmir Olldashin. Prokuroria ka kërkuar masën e arrestit me burg për dëshmitarin X- Albert Veliu, me akuzën e kallëzimit të rremë në bashkëpunim, si edhe kalim te paligjshëm te kufirit. Arrest me burg gjithashtu është kërkuar edhe për shtetasin Fredi Alizoti, i cili sipas organit të akuzës është personi që ‘interpretoi’ Agron Xhafajn në telefon. Ndërsa për  gazetarin Jetmir Olldashi Prokuroria ka kërkuar masën ‘detyrim paraqitje’ me akuzën e kallëzimit të rremë.

Kujtojmë se pasi publikoi audio-përgjimin, PD dha dëshminë e dëshmitarit X- Albert Veliu, që pranonte se kishte qenë pjesë e grupit të trafikut të drogës me Agron Xhafën dhe së fundi është ndihmuar nga ai për të siguruar një sasi kanabisi që do ta trafikonte

Pas publikimit të audio-përgjimit ku dëshmitari X ose Albert Veliu fliste me një person të cilit i kërkonte ta ndihmonte me drogë dhe që supozohet prej tij se është Agron Xhafaj. Ky i fundit në përgjim e dërgonte tek një tjetër person për të marrë drogën, me justifikimin se po sulmohej vetë.

PD në kohën kur publikoi audio-përgjimin, në maj të këtij viti, deklaroi se ky ishte një rast investigimi nga gazetari Jetmir Olldashi. Në një deklaratë publike për mediat, Olldashi tha se kishte hetuar trafikun e drogës duke përdorur si bashkëpunëtor Albert Veliun, i njohur ndryshe në Vlorë edhe me emrin Babale.

Veritas.com.al/