Bojkoti i avokatëve pas propozimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor për hartën e re gjyqësore ka shkaktuar kaos në shumë gjykata të vendit. E sotmja do të jetë një ditë bojkoti në gjykatat e rretheve Shkodër, Lezhë. Durrës, Lushnjë, Vlorë, Gjirokastër dhe Korçë, por vetë kreu i dhomës së avokatisë Maksim Haxhia në një komunikim me gazetarin e Report Tv Arsen Rusta konfirmoi se javën e ardhshme do të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë dhe me shumë gjasë në bojkot do të jetë e gjithë Shqipëria.

Një problematikë thelbësore gjatë këtij bojkoti janë masat e sigurisë dhe vleftësimi i arrestit, seancë e cila nuk mund të kryhet pa prezencën e avokatit mbrojtës. Por duke qenë se sipas ligjit dhe Kushtetutës vleftësimi i arrestit duhet të bëhet brenda 72 orësh në Gjykatë, në rast të kundër arrestimi quhet i paligjshëm atëherë rrezikohet që disa dhjetëra të arrestuar të lirohen.