Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian presin që sot të arrihet një marrëveshje për qetësim të situatës në veri të Kosovës.
Kjo nënkupton se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duhet të pajtohet me 3 pikat/kushtet që dy emisarët Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak ia prezantuam në takimin e së hënës.
I deleguari i SHBA Escobar tha të martën gjatë një takimi me gazetarë që nëse Kurti nuk i pranon këto 3 kushte, atëherë ai nuk dëshiron bashkëpunim me SHBA-në dhe BE-në dhe se kjo, gjithnjë sipas tij, nuk mund të kalojë pa pasoja.
Ai ka shtuar që vendi i tij, Unioni Evropian dhe krejt partnerët ndërkombëtarë janë bashkë dhe me një qëndrim në kërkesat për qetësim dhe normalizim të situatës dhe nëse kjo nuk ndodh, por përkeqësohen raportet, atëherë pasojat për Kosovën do të jenë afatgjata.
Teksa ka folur për pasojat, Escobar ka thënë se ato nuk janë të drejtuara ndaj popullit të Kosovës, pasi, siç ka thënë, Amerika ka marrëdhënieve të shkëlqyera me kosovarët.
Për më tepër, ai ka shtuar se çfarëdo që qeveria e shtetit të tij ka me Kryeministrin Albin Kurti, nuk do ta afektojë popullin.
I njëjti ka thënë se ka politikanë që duan ta mbajnë gjallë konfliktin e Kosovës me aleatët e saj, sepse kjo sipas tij, i mban në pushtet dhe i bënë të pasur.
Escobar ka shtuar se SHBA-ja dhe BE-ja nuk do të rrinë duke pritur përgjithmonë asnjë individ që nuk bashkëpunon dhe se Uashingtoni gjithmonë do të jetë me popullin e Kosovës.
I dërguari amerikan për dialogun ka deklaruar se draft-statuti i asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të prezantohet menjëherë nga qeveria. SHBA-ja dhe BE-ja presin që kjo të ndodhë shpejt, veçse, sikur ka thënë Escobar, mbetet të shihet me kë.
Ai ka thënë që nëse palët nuk i përmbahen Marrëveshjes së Brukselit, i bie se po e refuzojnë BE-në.
Po ashtu, Escobar ka shtuar se Aleksandar Vuçiç nuk mund të ketë të drejtë vetoje se kur mbahen zgjedhjet për katër komunat në veri të Kosovës ndërsa ka shtuar se kjo dritare i mbyllet nëse Kosova bashkëpunon duke e themeluar asociacionin.