BRATISLAVË- Kryeministri Edi Rama u shpreh se pavarësisht “tensioneve” mes Kosovës dhe Serbisë, Ballkani Perëndimor ndodhet në pozitat e veta më të rëndësishme. Ai theksoi se Kosova dhe Serbia janë para një hap kyç, atë të përmbylljes së marrëveshjes historike, që në thelb konsiston te njohja reciproke.

“Kemi gjithmonë problem në pjesën veriore para verës, nuk e di pse ndodh në verë, ndoshta sepse nuk kanë det dhe tokat nxehen. Ku ishim 20 vjet më parë, 10 vjet më parë. Ishim në gjendje shumë më të vështirë, sot Ballkani Perëndimor është në pozitën e vet më të mirë. Edhe midis Kosovës dhe Serbisë nuk kanë qenë më mirë, sepse janë një hap larg përmbylljes së marrëveshje historike. Tani të dyja palët janë një lloj hezitim, sepse e shikojmë se kjo do të realizohet dhe nuk do t’i duhen të luftojnë më njëra tjetrën, kjo është  perspektiva”, tha ai.

Sipas Ramës, konflikti në veri mund të ishte shmangur plotësisht dhe për këtë u shpreh se:

“Ky konflikt…aty ka një arsye, e cila në këndvështrimin tim mund të ishte shmangur krejtësisht dhe nuk është tregues i problemeve konkrete. Këta kryetarë komunash të zgjedhur me 1% të popullsisë, ndërsa 99% nuk kanë votuar dhe ndjehen të papërfaqësuar, por thelbi është se ka një marrëveshje që duhet përmbyllur; njohja reciproke, që është diçka e jashtëzakonshme”, theksoi ai në panelin e diskutimit mbi Ballkanin “Open Roads: Balkans Back in Business”