Prestigjozja gjermane “Die Welt“, në një artikull të gjatë për tensionin e kohëve të fundit në Ballkan shkruan se, ky rajon pa u vënë re po shkon drejt kaosit.

Sipas artikullit të “Die Welt”, përmes Ballkanit kalojnë çdo ditë me mijëra refugjatë, por duket se ata janë lënë në harresë. Ndërkohë, po të zhvendosesh më poshtë në jug të Ballkanit, konflikti është duke u përshkallëzuar me protesta.

“Si në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, ashtu edhe në Podgoricë të Malit të Zi, fundjavën e shkuar kaosi pushtoi rrugët. Protestuesit u përleshën me forcat policore. Goma të djegura, granata dore, gaz lotsjellës dhe koktej molotovi u përdorën në këto përballje”, shkuan gazeta, duke analizuar gjendjen e brishtë të sigurisë në shumicën e shteteve të Ballkanit.

Duket se, as Bashkimi Europian nuk po gjen dot mjete presioni për të arritur te një zgjidhje për politikanët në konflikt. Ndërsa sipas “Die Welt”, qytetarët po presin thellësisht të dëshpëruar.

Gazeta gjermane shkruan se në Kosovë, prej pothuajse dy dekadash po merren me integrimin e minotitetit serb. Pas shumë mundimeve, BE lehtësoi disa marrëveshje, përmes të cilave pakica me rreth 70 mijë serbë do të ketë të drejta autonome.

Por  këto marrëveshje u hodhën poshtë nga opozita shqiptare, e cila 3 herë rresht ka ndaluar punën e Kuvendit me gaz lotsjellës. Ndërkohë në Malin e Zi, shtet kandidat për në BE dhe NATO, opozita dëshiron gjithashtu të rrëzojë kryeministrin Milo Djukanoviç.

 

Në këtë kohë – sipas gazetës gjermane, – qetësia është ajo që i duhet shteteve të Ballkanit, sepse ato llogariten si më të varfrat në Europë, nga ku do të largohen investitorët e huaj nëse tensioni shtohet.