Në njoftimin e publikuar nga Këshilli i Europës thuhet se anulimi është bërë për shkak të mungesës së sigurisë në disa zona.

“Në vijim të emailit të mëposhtëm, me të cilin ju ftojmë në një takim me një delegacion të Kongresit të Autoriteteve Rajonale e Lokale të Këshillit të Evropës, po ju informojmë se udhëheqja e Kongresit (Presidenti në konsultim me dy Presidentët e Dhomave, në përputhje me rregullat e Kongresit) ka vendosur të mos dërgojë në Shqipëri një Delegacion Vëzhgues Zgjedhjesh nga Kongresi për shkak të pasigurisë së vazhdueshme në lidhje me organizimin e zgjedhjeve lokale në Shqipëri më 30 qershor dhe për shkak të rreziqeve të mundshme për sigurinë në disa zona të caktuara.

Ju kërkojmë ndjesë për çdo problem që mund t’ju shkaktojë anulimi në çastet e fundit dhe ju falënderojmë për gatishmërinë për të korresponduar me Kongresin”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Europës.

Sakaq zëdhënësja e OSBE/ODIHR, Katya Andrusz konfirmon se Këshilli i Europës nuk do të monitorojë zgjedhjet e 30 qershorit në Shqipëri.

“Mund të konfirmoj se jemi informuar nga KiE se ata nuk do të vëzhgojnë zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri. Për më shumë detaje ju duhet të kontaktoni me ta direkt”, shkruan zëdhënësja e OSBE/ODIHR.

Veritas.com.al/