Mbledhja e Këshillit të Mandateve për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku po zhvillohet me dyer të mbyllura, vendim që është kundërshtuar nga opozita.

Gjatë diskutimeve, opozita kërkoi që mbledhja të zhvillohej me dyer të hapura, duke argumentuar se parimisht mbledhjet e organeve të Kuvendi i Shqipërisë janë publike dhe se nuk ka arsye që ky proces të zhvillohet pa transparencë.

Kreu i Grupit Parlamentar të opozitës, Gazment Bardhi, deklaroi se mbledhja mund të zhvillohej me dyer të mbyllura vetëm në rast se prokurorët e SPAK do ta vlerësonin të nevojshme për shkak të cenimit të sekretit hetimor.

Ai kërkoi që çështja e zhvillimit të mbledhjes me dyer të hapura ose të mbyllura të hidhej në votim.

Sipas Bardhit, nuk ka arsye që publikut t’i mohohet informacioni mbi këtë proces, ndërsa ai ngriti edhe akuza politike lidhur me çështjen.

Gjithashtu, Bardhi shprehu shqetësimin për zvarritjen, sipas tij, për më shumë se dy muaj të kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e Belinda Ballukut, duke e cilësuar këtë si pengesë për drejtësinë dhe shkelje të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit.

Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i është përgjigjur opozitës duke e cilësuar të pakuptueshme dhe qesharake kundërshtimin ndaj kërkesës së prokurorit për zhvillimin e mbledhjes me dyer të mbyllura.

Balla i tha opozitës që është qesharake që kundërshton kërkesën e SPAK për mbledhje me dyer të mbyllura, ndërsa shtoi “mjerë Shqipëria për këtë opozitë”.

“Është e pakuptueshme dhe qesharake që PD kundërshton kërkesën e prokurorit për zhvillim me dyer të mbyllura, duke pranuar vetëm një pjesë të së njëjtës kërkesë; mjerë Shqipëria për këtë opozitë”, tha Balla.

Mbledhja vijon me dyer të mbyllura, ndërsa pritet vendimi i Këshillit të Mandateve lidhur me kërkesën e SPAK.

Në ambientet e Kuvendit kanë mbërritur përfaqësuesit e Prokurorisë së Posaçme, mes tyre edhe kreu i ri i institucionit, Klodian Braho, si dhe prokurorët Dorina Bejko dhe Dritan Prençi.

Pjesëmarrja e tyre sinjalizon rëndësinë procedurale të mbledhjes dhe argumentimin që pritet të paraqitet përpara anëtarëve të Këshillit.

Heqja e imunitetit parlamentar nga Kuvendi do t’i hapte rrugë ekzekutimit të masave të sigurisë që mund të kërkohen nga organi i akuzës, duke përfshirë arrest me burg, arrest shtëpie apo kontroll të banesës, në varësi të vendimmarrjes së gjykatës kompetente.

Mbledhja e sotme vjen pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e qeverisë për pezullimin e vendimit të GJKKO, e cila kishte vendosur shkarkimin e Ballukut nga funksionet publike. Ky vendim i Kushtetueses i hapi rrugë më tej procedurave parlamentare për shqyrtimin e kërkesës së SPAK.

Këshilli drejtohet nga Niko Peleshi dhe mbetet për t’u parë nëse do të vendosë marrjen në shqyrtim të plotë të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, si dhe se çfarë rekomandimi do t’i përcillet më pas seancës plenare të Kuvendit.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *