Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, i ka dorëzuar sot certifikatën kompanisë amerikane CWP për ndërtimin e një parku energjetik me kapacitet 600 MW në Tropojë.
Gjatë takimit për prezantimin e parkut eolik në Tropojë ku e pranishme ishte dhe e ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn u dha edhe certifikata e autorizimit për realizimin e projektit. Nga ana e CWP merrnin pjesë CEO i kompanisë në fjalë për Europën si dhe përfaqësues të tjerë.
Kryeministri Edi Rama theksoi se: “Duke pasur parasysh eksperiencën e kompanisë dhe rrugëtimin e saj të suksesshëm në Europë, kam besim që do të përfitojmë dije të reja dhe një vlerë të shtuar në kulturën e punës dhe veprimit në një sektor kaq strategjik”.
Nga ana e saj, ministrja Balluku theksoi se investimi i kompanisë amerikane është një tregues i besimit të investitorëve të huaj ndaj Shqipërisë dhe politikave të ndjekura nga qeveria në sektorin e energjisë.
Vlera e investimit të projektit “Tropoja Wind Farm”, që synon të rrisë ndjeshëm prodhimin vendas të energjisë së pastër dhe të mbështesë strategjinë kombëtare të tranzicionit drejt burimeve të qëndrueshme parashikohet të jetë 1.2 miliardë euro. Parku eolik do të ndërtohet nga kompania amerikane “CWP.
“Parku eolik i Tropojës nuk është thjesht një investim energjetik, është një simbol i transformimit që po përjeton Shqipëria, një transformim drejt një ekonomie të qëndrueshme, më të fortë dhe më të hapur ndaj inovacionit. Investimet e huaja direkte janë treguesi më i qartë i besimit në stabilitetin tonë ekonomik dhe institucional. Vetëm në vitet e fundit, mbi 1,5 miliardë euro investime private janë angazhuar ose janë në proces në sektorin e energjisë, kryesisht në burime të rinovueshme si energjia diellore dhe ajo e erës”, shpjegoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Komente