
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ka mbajtur fjalën e saj këtë të mërkurë, në aktivitetin e zhvilluar për 10-vjetorin e Këshillit të Investimeve.
Gjatë fjalës së saj Balluku u shpreh se Shqipëria e ditëve të sotme nuk ka asnjë krahasim me Shqipërinë e 10 viteve më parë, kur ky Këshill u formua.
“Ja ku jemi sot në një Shqipëri krejt tjetër nga ajo që ishte 10 vite më parë, më të zhvilluar, më të sigurt, më moderne dhe sigurisht me një të ardhme shumë më të ndritur, më afër se kurrë më parë me familjen e madhe europiane. Në këtë dekadë sfidash, përpjekjesh, reformash dhe sigurisht arritjesh madhore një rol i rëndësishëm është luajtur nga biznesi vendas dhe ai i huaj dhe marrëdhënia e fortë e bashkëpunimit që qeveria Rama ka vendosur qysh në fillim të mandatit të saj të parë. E them këtë, sepse zyrtarisht Këshilli i Investimeve sot feston 10 vjetorin e krijimit por, kjo punë ka nisur në fillim të mandatit të parë, në muajin shkurt të vitit 2014, vetëm 6 muaj pasi qeveria kishte marrë punën dhe kur kryeministri Rama ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me BERZH, për të përmirësuar dialogun mbi politikat midis sektorit privat dhe qeverisë, me qëllim nxitjen e investimeve vendase dhe të huaja”, u shpreh Balluku
Komente