Kreu i Partisë Demokratike, në një ditë aspak të zakontë për forcën e parë politike pluraliste në Shqipëri, ka inauguruar një instalacion në ambientet e jashtme të selisë blu, ku të gdhendura janë firmat e nënshkruesve të themelimit të PD-së, 31 vjet më parë.

Njëkohësisht me mbajtjen e Kuvendit Kombëtar nga Sali Berisha, për shkarkimin e Bashës, kryedemokrati zgjodhi këtë mënyrë, për të kremtuar datëlindjen e PD-së.

“Kjo është një ditë kuptimplotë për të gjithë shqiptarët, të cilët kanë në zemër vlerat e lirisë dhe demokracisë”, tha Basha me një grup mbështetësish pas tij.

“U nisëm 31 vjet më parë me një rrugëtim plot sprova. U ushqyem nga ëndrrat më të bukura të studentëve të dhjetorit. Nga aspirata e tyre për lirinë politike, që lindi në një hark kohor të pandashëm orësh”.

Basha vijoi retorikën e tij, duke thënë se demokratët do të vijojnë të luftojnë, për të sprapsur regjimin.

Sipas tij, shpresa e qytetarëve është vrarë nga Qeveria aktuale. Mirëpo, PD-ja, ka në dorë rivendosjen e fatit të Shqipërisë në rrugën evropiane. Këtë, ai pretendon se do ta arrijë nëpërmjet rinisë.

Ndërkaq, për demokratët “e mërzitur dhe të dëshpëruar”, ai pati një mesazh.

“Kur ju kam takuar, nuk më keni votëbesuar për një karrige apo mandat tjetër. Por, për të zhvilluar një betejë frontale, të gjerë sa vetë kauza e shqiptarëve për shpëtim. Për të mirën e Shqipërisë, për të mirën e shqiptarëve”.

Mbi përçarjen e fundit të demokratëve, Basha e cilësoi si një sprovë të radhës. Por gjithsesi, ai mendon se ajo do të kalohet, pasi të djathtët janë bashkë dhe të bashkuar.

“Çdo përpjekje për të na ndalur, duhet të jetë e shkuara dhe e shkuara, nuk duhet të na pengojë për të ardhmen e Shqipërisë”, vijoi ai.