Veritas.com.al/

Edhe sot në takimin e Dibrës me anëtarët dhe simpatizant të PD, kryetari i ngrirë Basha, ka thënë se ‘ka një projekt të tij”.

“Projekti im për Shqipërinë është një qeveri për qytetarët, që të kenë mundësi të jetojnë me dinjitet në shtëpinë e tyre, pa shkuar azilantë, të kenë mundësi të gjejnë punë, të kenë mundësi të jetojnë pa frikë nga pushtetarët dhe nga të fortët, të kenë mundësi të zgjedhin të lirë, të votojnë të lirë qeverinë që duan.

Qeveria që e trajton si plaçkë Shqipërinë, bëri gjithçka që kishte në dorë për të penguar këtë projekt përmes shit-blerjes së votës me paratë e drogës dhe të krimit, përmes angazhimit të bandave. Maxhoranca e dalë nga këto zgjedhje është një maxhorancë fiktive sepse nuk reflekton vullnetin e qytetarëve, por reflekton shtrembërimin e këtij vullneti përmes shit-blerjes së votës që tashmë është provuar katërcipërisht si varrmihësja e demokracisë tonë të brishtë”, tha Basha.

“Kush di t’i njohë e t’i pranojë gabimet ka edhe vullnetin t’i korrigjojë ato. Dhe unë e kam këtë vullnet, ta bëj bashkë me ju, bashkë me gjithë demokratët e ndershëm që janë gati të luftojnë për ndryshim, jo për kolltukë” tha ai në Dibër.

Por ka dy probleme me paraqitjen e Bashës para demokratëve:

I pari, ai thotë se ‘njeh gabimet’, por nuk vë gishtin në asnjë gabim konkret. Cili është gabimi?, cila është marrëveshja e fshehtë?, cili është qëllimi?, çfarë do të ndodhë me secilin prej këtyre ‘zërave”?…? Asgjë nuk tregon konkretisht. Atëherë si do të besojnë militantët se kryetari ka njohur gabimin ose se ëhstë korrigjuar?

I dyti, Basha thotë të njëjtat fjalë për ‘programin e  tij’. Ai thotë se ‘kam një program timin”. Por programi nuk duket. Edhe gjatë fushatës ka thënë se ‘ka një program’ por që askush nuk e kishte në dorë. “E dinë ekspertët gjerman”, thoshte Basha, sikur zgjedhjet do të ishin për dy ose pesë ekspertë gjerman… Por edhe fjalori është i njëjtë me ‘programin tim’ që Basha e përsëriti mijëra herë gjatë fushatës së zgjedhjeve dhe që u kundërshtua nga votuesit.

Veritas.com.al/