Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka pranuar propozimin e djeshëm të kryetarit të Kuvendit Ilir Meta për një takim 5-palesh, Rama-Basha-Meta dhe ambasadorët Lu-Vlahutin.
Meta propozoi dje që takimi të zhvillohet sot në Kuvend dhe të pestë të gjejnë zgjidhje për të arritur konsensusin për reformën në drejtësi. Kreu i opozitës mbështeti gjithashtu edhe qëndrimin e kryeparlamentarit, që pas miratimit të reformës të rrëzohet qeveria dhe të krijohet një qeveri teknike që do të përgatisë zgjedhjet e parakohshme.
Në këtë aspekt, Basha thekson se është gati për takimin e mundshëm për ditën e sotme, si dhe ka autorizuar negociatorët e opozitës për takim me negociatorët e mazhorancës për të gjetur konsensus.
Statusi në Facebook i kryetarit të PD Lulzim Basha:
Partia Demokratike dhe unë e kemi konsideruar dhe e konsiderojmë krijimin e një qeverie teknike si një domosdoshmëri për organizimin e zgjedhjeve te lira e te ndershme dhe për stopimin e krizës se gjithanshme te vendit.
Nga kjo pikëpamje ne emër te Partisë Demokratike dhe opozitës mirëpres qëndrimin e djeshëm te kryetarit te LSI Ilir Meta për krijimin e një qeverie teknike për organizimin e zgjedhjeve te lira ne vend.
Fakti qe një parti qeveritare i bashkohet ne mënyrën dhe autonominë e vet opsionit te opozitës tregon qarte se kjo është rruga e vetme, në kushtet e degradimit ekstrem të qeverisjes, për një konkurrim te lirë, te drejte e te barabarte te partive ne zgjedhje, duke e lënë vendimin në duart e sovranit.
Zoti Meta e sheh te lidhur propozimin e tij, me domosdoshmërinë e votimit me konsensus te reformes ne drejtësi. Dëshiroj te nënvizoj se PD dhe opozita kane kërkuar dhe jane angazhuar qe prej fillimit e deri ne këtë sekonde për një reforme konsensuale te standarteve te Venecias dhe ne bashkëpunim te ngushte me partnerin tone strategjik SHBA dhe BE.
Ne funksion te konsensusit dhe për te mundësuar një bashkëpunim sa me te mire, ne kemi promovuar vlerat dhe rëndësinë historike te kësaj reforme për te luftuar krimin dhe korrupsionin ne nivelet e larta kudo qofte ai. Por ne nuk kemi rene asnjë çast ne mendësinë antidemokratike dhe ne provokimet e ulëta te atyre qe kane dashur e duan ta sabotojnë e damkosin reformën, duke ia caktuar ata dhe jo ligji viktimat.
Ne këtë linje koherente ne e kemi korrigjuar reformën, duke u përfshirë ne nje dinamike intensive bashkëpunimi, në respekt te ndërsjelle dhe me përkushtim të madh, me miqtë dhe partnerët.
Bilanci është i lehte për t’u bërë. Kush e ka shërbyer me shume reformën: Ne, opozita qe kemi qenë aktive deri duke diskutuar e debatuar për zgjidhje të ndryshme me partnerët apo Rama me te tijtë qe kanë tentuar vazhdimisht kapjen e drejtësisë dhe kur nuk u ka ecur, kur janë kthyer mbrapsht nga opozita dhe ndërkombëtarët kanë bërë e bëjnë lojëra politike me pasivitetin e tyre?
Ne kemi marrë përsipër koston e debateve, por sot e gjithë ditën, para miqve dhe publikut te gjere shqiptar kemi nderin të pohojmë se kemi bërë detyrën e opozitës për një ngrehinë drejtësie që duhet tu rezistojë viteve e dekadave.
Asnjëherë, as sot dhe as në të ardhmen, nuk kemi përfytyruar e nuk do të përfytyrojmë përjashtimin e miqve dhe partnerëve. Përkundrazi, pa ta nuk ka reformë të vertetë në asnjë fushë, nuk ka përparim të vendit drejt BE dhe standardeve më të përparuara të demokracisë.
Sot jemi me afër se kurrë finalizimit te marrëveshjes. Unë i kam autorizuar ekspertet e PD, ata janë gati. Ulja ka zgjidhje. Vullneti i mire ka zgjidhje.
Thirrja e Rames per tu takuar me mua ne një takim ku ai thotë se do te vije me duart ne xhepa duke pretenduar se vjen ne emër te ambasadoreve nuk eshte as serioze, as produktive. Shefi i opozitës i takon drejtpërsëdrejti ambasadoret. Edhe Ramen nese nuk fshihet pas ndërkombëtareve.
Nga ana tjetër, mbështesim dhe mirëpresim propozimin e Metes për një dialog shumëpalësh. Gjithperfshirja ka zgjidhje.
PD është e gatshme të marrë pjesë në këtë format takimi, të ekspozojë pa asnjë paragjykim apo prapamendim bazën ligjore të propozimeve të saj për vetingun, të negociojë zgjidhje që mundësojnë plotësisht rolin më aktiv të ndërkombëtareve në perputhje te plote me rekomandimet e Komisionit te Venecias.
Zgjidhja është e mundshme dhe duhet të arrihet patjetër, me kontributin e të gjithëve, me forcën imponuese të argumenteve dhe largpamësisë, siç i ka hije përgjegjesisë politike, bashkëpunimit dhe parneritetit strategjik.