Në prezantimin e planit për biznesin kryedemokrati Basha u zotua të krijojë një mjedis favorizues për mbështetjen e çdo biznesi duke eliminuar koston e korrupsionit dhe duke krijuar një sistem të thjeshtë taksash me një nivel, ku në qendër është individi dhe familja.

Kryedemokrati shtoi se nuk do të ketë asnjë kontroll tatimor për biznesin e vogël që demonstron pullën fiskale dhe asnjë zyrtar shteti ne dyer te bizneseve. Po ashtu ai tha se nuk do të lejojë asnjë operator off-shore në tendera, gara dhe koncesione.

“Me një institucion të besueshëm ndërkombëtar do të kalohet në lupë çdo koncesion dhe PPP i dhënë duke përfshirë në një hetim të imtësishëm çdo kontratë të dhënë këto vite. Nuk do të ketë asnjë gare publike me një operator me qëllim që të rrisim konkurrencën në treg”,- tha Basha.

Kryedemokrati tha ndër të tjera se nëse vjen në pushtet, nuk do të lejojë asnjë kontratë të re publike për ato kompani që nuk kanë përfunduar 70% të punës në kontratat ekzistuese, me qëllim të zgjerojmë numrin e kompanive dhe të rrisim konkurrencën.

 

Ai madje u angazhua edhe në ngritjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, e cila tha se do të koordinoje përpjekjet për të luftuar korrupsionin në çdo qelizë, duke përgatitur dhe dosjet korruptive.
VERITAS.COM.AL