“Departamenti i Shtetit përfshiu këtë vit Shqipërinë, për herë të parë, në listën e zezë të vendeve kryesore të pastrimit të parave, ku përcaktohet se bankat bëjnë transaksione parash që përfshijnë shuma të konsiderueshme të të ardhurave nga trafiku ndërkombëtar i narkotikëve”, ka deklaruar Basha.

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka deklaruar këtë të martë se, akuzat e opozitës ndaj qeverisë për pastrimin e parave të drogës vërtetohen nga raporti i Departamentit amerikan të Shtetit.

Sipas tij, në gusht 2017, një tjetër raport ndërkombëtar për pastrimin e parave, Indeksi i Bazelit, e renditi Shqipërinë si një ndër 3 vendet kryesore për rrezikun e pastrimit të parave në Europë.

“Bumi i beftë i ndërtimit është rezultat i parasë që vjen nga droga. Koncesionet e Ramës me pronarë që fshihen në parajsa fiskale apo që Rama i mban të fshehta mund të jenë skema të pastrimit të parave të drogës”, ka thënë Basha.

Ai ka theksuar se, në Shqipëri paraja e pistë po sposton atë të pastër dhe po mban larg investimet e huaja, të cilat sipas tij kanë munguar në 4 vitet e fundit.

Duke akuzuar qeveritarët se blejnë vila dhe pasuri të tjera të patundshme brenda e jashtë Shqipërisë, Basha ka nënvizuar se duhet patjetër të ndalet projekti “1 miliard euro” dhe për këtë i ka bërë thirrje prokurorisë që të hetojë.

“Çdo konçesion, çdo investim që përfshin qeverinë duhet të hetohet me transparencë në çdo detaj. Prokuroria, e ndihmuar nga partnerët ndërkombëtarë, duhet të hetojë pastrimin e parave dhe krimin e lidhur me të në çdo akt koncensioni dhe tenderi qeveritar”, ka shtuar Basha.

Veritas.com.al/