Kreu i PD-së Lulzim Basha tha se do i propozojë grupit parlamentar dhe forumeve më të larta të kësaj force djegien e mandateve të deputetëve si një mesazh i qartë i ardhur dje nga protesta e opozitës.

Basha tha se në Europë kur qeveria kapet duke vjedhur nuk rrihet populli, nuk helmohet populli por ikën qeveria, ndëshkohen hajdutët. Por se sipas tij, Edi Rama nuk pranoi ta dëgjojë këtë mesazh, mesazhin e sovranit të bashkuar si asnjëherë më parë në protestën e djeshme.

“Qytetarët kërkojnë zgjidhje, kërkojnë rrugëdalje, kërkojnë ndryshim. Ju kërkoni një qeveri të zgjedhur nga vullneti juaj dhe vota juaj dhe jo një qeveri të diktuar nga krimi dhe hajdutët e oligarkisë. Ju kërkoni një parlament që zgjidh hallet tuaja dhe jo një parlament të dalë nga votat e blera me paratë e krimit të organizuar dhe që noterizon vjedhjet e një kryeministri të kapur në flagrancë. Ju kërkoni një qeveri legjitime që iu jep llogari qytetarëve në vend që t’i fyejë dhe poshtërojë pasi i ka vjedhur dhe i ka dhunuar. Ju kërkoni dhe prisni që ne t’i prijmë ndryshimit. Ne kemi ndjekur të gjitha rrugët institucionale për të mbrojtur demokracinë, për të mbrojtur interesin e qytetarëve por përballë nuk kemi një parti politike, nuk kemi një kryeministër dhe një qeveri politike të zgjedhur nga qytetarët, përballë kemi një bandë që ka ardhur në pushtet nga bashkëpunimi me bandat dhe qeverisë për llogari të bandave”, deklaroi kreu i PD.

Veritas.com.al/