Kryeministri Edi Rama tha gjatë një takimi me fermerët në Dibër, se bashkitë duhet të jenë aleatë të fermerëve.
Rama deklaroi se Paketa e Maleve do të jetë zhvillim për zonën.
“Nuk është më problemi tek paratë, duhet ta kuptojnë të gjithë ata që duan të punojnë me tokën, duan të investojnë në tokë, duan të bëjnë pika përpunimi. Ja se tani kemi nevojë, jo thjesht të prodhojmë mollë e qershi, por të prodhojmë nënprodukte, t’i përpunojmë; reçel, komposto e tjerë e të tjerë, që të rrisim vlerën. Çfarë janë klasi i parë eksportohen, çfarë janë klasi i dytë, e klasi i tretë përpunohen edhe rritet vlera.
Dhe për këto gjëra, për të hapur një pikë grumbullimi, për të hapur një pikë përpunimi, për të bërë një baxho, për të bërë një agroturizëm, të gjitha këto nuk është më problemi tek paratë. Problemi është thjesht tek projekti dhe aplikimi, sepse paratë janë.
Ne e kemi rritur shumë ndjeshëm mbështetjen dhe tani për pak ditë fund të muajit, fillim të muajit tjetër do të firmosim dhe marrëveshjen me bankat dhe me Bankën e Shqipërisë dhe do të vendosim në dispozicion të gjithë atyre që duan ta dyfishojnë sipërmarrjen, një linjë kredie me interes të ulët dhe me garanci nga shteti.
Askush nuk ka më alibi, as kryetarët e bashkive. Kryetarëve të bashkive ua kam thënë, – e dua shumë Rahimin, është dibran i mirë shumë, ka ardhur këtu për të shërbyer pasi ishte në bankë e tjerë e tjerë, – por i kam thënë dhe Rahimit dhe shokëve të Rahimit, po nuk bëtë 10 agroturizma me Paketën e Maleve dhe tre SHBB, as mos hajdeni fare të pretendoni të kandidoni më, sepse bashkitë nuk janë vetëm shtro rrugë, vër drita, pastro plehra dhe në fshat pastro kanale. Bashkitë duhet të jenë aleatët e fermerëve.
Peshkopia me gjithë respektin është shumë e vogël, ndërkohë që Dibra është shumë e madhe dhe pasuria e Dibrës nuk është te bulevardi, as te hoteli i mikut tim, “Astrit kokëfortit”. Pasuria është te këto toka, te këto male, tek bujqësia, tek turizmi.”, theksoi ai./
Komente