Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së të mbledhur në Bruksel miratuan njëzëri raportin e konkluzioneve për shqyrtimin e grupit të katërt të negociatave me Shqipërinë.
Presidenca polake konfirmoi zyrtarisht për kanalin televiziv kombëtar, Klan News se po bëhen përpjekjet teknike përfundimtare për mbajtjen e konferencës së 6-të ndërqeveritare të BE-së me vendin tonë.
“Sot, më 11 qershor 2025, pasi ka konstatuar se Shqipëria është mjaftueshëm e përgatitur për të hapur negociatat, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, autorizoi Presidencën e BE-së dhe Presidenca Polake i dërgoi sot letrën Shqipërisë ku i kërkon të paraqesë pozicionin e saj negociues mbi katër kapitujt e përfshirë në Grupkapitullin 4 “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”. Pozicioni negociues do t’i paraqitet Konferencës së Gjashtë Ndërqeveritare me Shqipërinë, e cila do të organizohet në një datë që do të shpallet së shpejti nga Presidenca e Këshillit të Bashkimit Evropian”, njoftoi Zyra për Shtyp e Kryeministrisë.
Në shërbim të këtij objektivi, në prani të kryenegociatores Majlinda Dhuka, duke nisur nga ora 16.00 do mbahet edhe një videokonferencë ndërmjet Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos dhe kryeministrit Rama.
Grupkapitulli i katërt “Agjenda e Gjelbër dhe lidhshmëria e qëndrueshme”, sipas raportit të përgatitur nga qeveria shqiptare, mbulon politikën e transportit, energjinë, rrjetet trans-evropiane, mjedisin dhe ndryshimet klimatike.
Bashkimi Evropian është angazhuar në “Agjendën e Gjelbër” si dhe në “Planin Ekonomik të Investimeve” për vendet e Ballkanit Perëndimor për të përmirësuar investimet në rajonin tonë, duke mobilizuar deri në 9 miliardë € nga Instrumenti i IPA III, me qëllim nxitjen e rimëkëmbjes afatgjatë, të orientuar drejt tranzicionit të gjelbër dhe atij digjital.
Të katër kapitujt përmbajnë detyrimet për të përmirësuar legjislacionin në fushat përkatëse, si edhe investime infrastrukturore dhe institucionale për të mbikëqyrur përmbushjen e objektivave të vendosur nga legjislacioni evropian. Procesi screening për grupimin e katërt u finalizua në shtator të vitit 2023.
Komente