Gjykata e Shkallës së Parë të Fierit pranoi këtë të hënë kërkesën e Fredi Belerit, për lirimin nga burgu.
Në dalje nga qelia e burgut, Beleri dha një deklaratë për mediat, ku tha se ai është fituesi i bashkisë së Himarës dhe mandati iu hoq pa të drejtë nga qeveria e kryeministrit Rama.
“Pas 16 muajsh izolim, tani jam i lirë dhe krenar, por definitivisht jo i lumtur. Sepse nuk u rivendos shteti i së drejtës dhe demokracia në Shqipëri, nuk funksionuan institucionet, drejtësia nuk u dha ashtu siç duhej. Vendimi i sotëm është vetëm një pikë në oqeanin e drejtësisë që na pret. Lufta ime tani ka filluar.
Në Shqipëri nuk ka zgjedhje sepse pushteti ka vendosur që në këtë shtet të mos bëhen zgjedhje. Në zgjedhjet që u bënë më 14 maj dola fitues, zgjedhjet që u bënë në 4 gusht ishin të paligjshme.
I paligjshëm ishte shkarkimi im, i paligjshëm ishte dekreti i zgjedhjeve të presidentit dhe të paligjshme ishin vendimet i kryeministrit për të implikuar gjithë shtetin dhe mafien për të fituar një pal zgjedhje në një fshat”, tha Beleri.
I pyetur nëse do të vijojë karrierën politike në Shqipëri dhe a do të jetë pjesë e garave zgjedhore, Beleri e pranoi se një gjë e tillë do të ndodhë.
“Sigurisht! Nëse Strasburgu me nxjerr të pafajshëm, sigurisht që do të kandidoj”, u shpreh ai.
Beleri u ndal dhe te marrja e mandatit të eurodeputetit dhe puna që do ketë si përfaqësues i Demokracisë së Re në Parlamentin Europian.
Ai tha se “me mundësinë që do të ketë do të ngre zërin në Parlamentin Europian për drejtësinë në Shqipëri”.