Nga T. Çela

Një gazetar grek, që për ironi të fatit të tij ngjan si sozi e Sadam Husein, i ka bërë zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit një pyetje lidhur me marrëdhëniet mes Greqisë e Shqipërisë, me fokus Fredi Belerin, kryebashkiakun e zgjedhur e të arrestuar në flagrancë dy ditë para zgjedhjeve vendore në Shqipëri.

Pyetja e gazetarit grek tregon shumë për atë që mbillet e gatuhet në Athinë e lobimet e saj, duke e bërë politike një çështje ekskluzive të drejtësisë, në një vend demokratik si Shqipëria.

Nuk ja vlen të shkruajmë tej për rastin “Beleri”, pasi opinion publik dhe politik është njohur dhe qartësuar.

Po shkruajmë për gazetarin grek, i cili në rastin më të mirë është totalisht i painformuar. Kjo nuk do ta nderonte atë. Në rastin më të keq, është cinik, nacionalisht e ekskluzivisht antishqiptar. Ka ikur shumë, po shumë kohë kur në Shqipëri një kryeministër mund të jepte urdhër për arrestimin e dikujt. Këto i kryejnë gjykatat, të cilat janë të pavarura nga politika. Gazetari grek duhet ta dije se falë reformës në drejtësi vitet e fundit, të bërë me asistencën teknike, juridike e monetare të SHBA e BE, Kryeministri shqiptar Rama, të cilin ai akuzon se ka dhënë urdhër për arrestimin e Belerit, ka në burg e të akuzuar gjysmën e ish-qeverisë së tij, përfshirë edhe disa kryebashkiakë. Nuk besoj se gazetari grek është kaq injorant sa të mos i dijë këto. Di edhe gjithë historitë e akuzat e hershme ndaj Belerit të Himarës. I di, por ai lexon mekanikisht pyetjen që i ka nisur padroni nga Athina.

Portretin e gazetarëve të tillë e ka “vizatuar” e famshmja Oriana Fallaci:

“…Ishin të gjithë smirëzinj, amatorë mburravecë dhe që ia bënin me sy vetes. Silleshin sikur të ishin çupka spektakli. Nuk dinin të shkruanin, nuk dinin të hulumtonin faktin e vërtetë dhe asnjërit prej tyre nuk i interesonte e vërteta. Të gjithë kishin një padron politik e në këtë mënyrë bënin karrierë”.

Ja dhe pyetja e gazetarit për Miller:

“Pyetja ime ka të bëjë me marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, një tjetër aleat tuajin. Marrëdhëniet janë në krizë të thellë kohët e fundit sepse kryeministri i Shqipërisë, nuk e di nëse e dini, ka urdhëruar arrestimin e një kryebashkiaku grek. Ai është kryetar i zgjedhur. Ai është ende në burg pas tre muajsh. Pyetja ime është: a keni dijeni për arrestimin? Dhe nëse e dini, a keni ndërhyrë tek qeveria shqiptare për lirimin e këtij kryebashkiaku të zgjedhur?”

Ndërkohë, Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, e ka injoruar krejtësisht pyetjen e gazetarit grek, duke i dhënë menjëherë fjalën një tjetër gazetari.