(FOTO: Sali Berisha- ish kryeministër, sot në Komisionin Hetimor për çështjen CEZ)

Dr. Prof. Sali Berisha ishte ftuar sot në Komisionin Parlamentar Hetimor për çështjen CEZ. Ish- kryeministri ka shkuar në mbledhjen e Komisionit në rolin zyrtarit më të lartë të shtetit që ka dijeni mbi çështjen nën hetim. Në kohën për të cilën po diskuton Komisioni Hetmor Parlamentar, zoti Berisha ishte kryeministër i Republikës.

Por vetëm pak minuta pasi ka filluar mbledhja me prezencën e Berishës, ky është detyruar të lërë sallën, pa dhënë dëshminë e tij. Të pranishmit thonë se ndërhyrjet pa vend dhe acaruese të deputetit socialist Taulant Balla, (i cili është edhe kryetar i Komisionit), kanë krijuar klimë nervoze dhe të papërshtatshme për të zhvilluar diskutimin ose dëshminë.

Vetë zoti Berisha tha për Ballën se është një person “i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë”. Anëtari i këtij komisioni, Arben Ristani, tha se Taulant Balla ka konflikt interesi në drejtimin e këtij komisioni dhe veçanërisht në thirrjen si dëshmitar të ish-kryeministrit Berisha, pasi Gjykata e Apelit e ka dënuar me 10 milionë lekë për shpifje ndaj pjesëtarëve të familjes Berisha.

“Kryetari i këtij komisioni mashtroi opinionin duke thënë se nuk është i dënuar. Ai është i dënuar me vendim të formës së prerë dhe nuk paguan gjobën. Unë e dija se çfarë është, por respekti për parlamentin më bëri që të vija. Por unë nuk dija çështjen e konfliktit të interesit. Nuk e dija këtë nen në procedurën penale”, tha Berisha për mediat pasi doli nga Kuvendi.

Çështja CEZ është nga çështjet më të “nxehta” të qeverisë “Rilindja”. Prej shumë kohësh media dhe Kuvendi janë marrë me këtë çështje që është cilësuar si “gropa ku janë hedhur rreth 1 miliardë e uro” nga pasuria publike. Qeveria aktuale- sipas të dhënave- i ka dhuruar kompanisë çeke një shumë prej 650 milionë euro  që i detyrohej vendit tonë, përveç qindra mijë të tjera të shpenzuara për gjyqet ndërkombëtare.

Komisioni Hetimor Parlamentar ishte kërkuar nga deputetët e Opozitës me qëllim që të zbulohej e vërteta mbi skandalin CEZ.

/Veritas.com.al/