Nga L. Skiroi/
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka deklaruar sot se do ta “ndërtojë koalicionin me PS” vetëm me 19 qershor, dmth., një ditë pas ditës së votimeve, kur të ketë dalë edhe rezultati.
Meta thotë se “në qoftë se PS ka fituar 71 vende në Parlament, atëherë LSI do të qëndrojë në opozitë”. Por në qoftë se ka fituar më pak, atëherë “LSI do t’i bashkohet koalicionit”.
Për të përmbushur idenë e “shërbesës” ndaj partive që dalin ulok nga zgjedhjet, Ilir Meta sjell modelin e koalicionit të vitit 2009 bashkë me Partinë Demokratike. Meta tha se “PD mori më pak se 71 vende në Parlament, prandaj u bashkuam”. Kryetari i LSI lë të nënkuptohet se “ai shërben” partitë që dalin me plagë të rënda nga lufta me zgjedhjet. Por këtë nuk e thotë drejtpërdrejt, ai e kamuflon me klishenë tashmë arkaike se “i shërbej interesave të vendit”.
-Nuk jemi parti klienteliste- thotë Meta; por në fakt shërbesa ndaj parive që kanë nevojë për të është klientelizëm i dyfishtë. Nga njëra anë shërben partinë tjetër; dhe partia tjetër shërben LSI. Thënia “për interesat e vendit” në jetë të jetëve ka paketuar interesa të partisë, të klanit, të klikës dhe të xhepit.
Por me këtë rast, kryetari i LSI duke u tallur me inteligjencien e njeriut më të zakonshëm, thotë se koalicioni do të lidhet vetëm më 19 qersshor, në qoftë se PS është “më pak se 71 deputetë”. Me këtë rast ai ka garantuar koalicionin me Patinë Socialiste, sepse që tani dihet qartë se Parttia Socialiste nuk arrin te shifra 71 deputetë. Kështu që Meta hyn nga dritarja, por i sigurt se do të jetë në koalicionin me PS.
Por ideja e “nurses”, dmth e shërbyeses në çdo rast ku ka “sakatllëk” e bën qesharake dhe të pabesueshme idenë e “mirësisë” për të tjerët dhe sakrilegje “për vete”. Na duhet që tani e tutje ta thërrasim jo më “LSI”, por “infermierja më e mirë e lagjes”.
/Veritas.com.al/